I pyetur nga gazetarët për një bashkëpunim të mundshëm me LSI për qeverinë teknike, Lulzim Basha la të kuptohej se ishte i gatshëm për të bashkuar votat me Ilir Metën. Kreu i demokratëve tha se për qeverinë teknike, është gati të bashkëpunojë jo vetëm me LSI, por edhe me socialistë. Duke iu përgjigjur gazetarëve, Basha kujtoi se kishte përshëndetur kreun e LSI për rolin e tij për reformën në drejtësi.
“Sa i përket premisës për LSI-në. Unë i kërkoj bashkëpunim me çdo lloj force politike. Si LSI si PS, të cilët duhet të nisën nga përgjegjësia për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira të ndershme.
Ndaj mirëpres kontributin e çdo force politike në këtë drejtim ashtu sikurse për konsensusin e 22 korrikut.
Kam përshëndetur kreun e LSI-së për qëndrimet e tij për konsensusit. Të njëjtën gjë do bëja edhe me Ramën po të mbante të njëjtin qëndrim. Por ai e rrezikoi reformën në drejtësi për hir të manovrave të tij politike. Por ato përfunduan aty ku do të përfundonin, në koshin e plehrave.
Për reformën në drejtësi kërkova konsensus që nga fillimi dhe ai u arrit falë kontributit të zotit Meta”
Basha komentoi edhe lajmin se Romana Vlahutin fshehu pasurinë para autoriteteve kroate. Sipas tij, reagimi i përket Bashkimit Europian.
“Është një çështje që i takon autoriteteve kroate dhe kam besim të plotë që anëtarësimi në BE e kanë merituar duke siguruar respektimin e ligjit. I takon gjithashtu edhe autoriteteve të BE-së. Në të dyja nivelet kjo çështje do të marrë trajtimin e duhur” tha Basha.