Sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë filloi edicioni i nëntë i “Javës së Albanologjisë”, shkruan KultPlus. Kjo Konferencë Shkencore, sivjet i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Dhjetëra studiues, shkrimtarë e figura të njohura kishin zënë vend në sallën e Institutit të Albanologjisë.
Qosja: Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte fetarisht tolerant
Akademiku Rexhep Qosja në kumtesën e tij lexoi edhe një pjesë lidhur me qëndrimin e Skënderbeut ndaj fesë. Ai tha se të dhënat e tij e nxjerrin si një shtetas tolerant fetarisht, madje në një kohë ku Evropa nuk ishte shumë tolerante fetarisht.
“Historianët dhe publicistët tanë kanë shkruar shumë për përkatësinë fetare të Skënderbeut, disa prej tyre thonë se ai i kishte provuar tri fe, katolike, ortodokse dhe myslimane. Disa të tjerë thonë se feja ortodokse ishte feja e besimit të tij, disa thonë se feja e tij ishte feja katolike e cila është e vërteta për qëndrimin e tij ndaj fesë, unë nuk mund ta them me bindje të krijuar prej të dhënave botërore se cilës fe ai i takonte shpirtërisht dhe zyrtarisht por unë me bindje të krijuar nga disa vepra që i kam lexuar për jetën, politikën dhe shtetin që kishte krijuar ai dhe sidomos me bindje të krijuar prej sjelljeve të tij si kryekomandues i luftës 25 vjeçare kundër osmane, si prirës politik e shtetëror i shqiptarëve të Arbërisë, mund të them se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte politikan, krijues, kryekomandant dhe shtetar fetarisht tolerant”, tha Qosja në fjalën e tij.
Qosja më tutje u shpreh mbi çmitizimin e figurës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, duke thënë se ai nuk është shndërruar në mit nga trajtimet zmadhuese që nuk kanë munguar por nga trajtimet realiste e objektive mbi karakterin e tij.
“Skënderbeu është figurë historike të cilën gojëdhënat, historiografia, letërsia dhe artet e kanë bërë figurë mitike, për këtë arsye disa historianë, studiues e shkrimtarë janë shprehur këtë vit se Skënderbeun duhet ta trajtojmë realisht dhe ta çmitizojmë. Jam kundër këtij qëndrimi ndaj figurës së Skënderbeut dhe jam kundër edhe sepse Skënderbeun nuk e kanë bërë mit trajtimet zmadhuese që nuk kanë munguar por në radhë të parë trajtimet realiste, objektive me të vërtetat për karakterin e tij, për natyrën e tij, politikën e tij dhe luftërat e udhëhequra prej tij dhe për luftëtaret madhore të udhëhequra prej tij. Nuk thuhet kot se nuk ka shoqëri pa mite dhe nuk thuhet se çështja e identiteteve është e ndërtuara edhe me mite dhe jo vetëm se ruhen por edhe ndërtohen mite të reja”, u shpreh Qosja në fjalën e tij.
Ai tha se miti i Skënderbeut ka filluar të ndërtohet në të gjallë të tij por përcaktues në zhvillimet e mëtejme e ka luajtur Rilindja Kombëtare Shqiptare, pasi që këto janë dy epokat më të mëdha në historinë shqiptare. Skënderbeu ka arritur të bëhet një faktor me rendësi të madhe evropiane në kohën në të cilën jetoj, për shumë arsye krijuesit e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare do të bëhen shembulli madhështor mitik për ndërtimin shpirtëror dhe atdhetar shqiptar, andaj historia shqiptare nuk duhet të privohet nga miti i Skënderbeut.
“Ta privojmë historinë tonë prej këtij miti, ta privojmë kombin tonë prej këtij miti, jo…jo dhe jo sepse ashtu do të pajtoheshim me përpjekjen për ndryshim e vetëdijes dhe kujtesës kolektive të popullit shqiptar, sepse ashtu do të varfëronim identitetin tonë kolektiv sepse ashtu do të dobësonim fuqinë e përbashkësisë së historisë tonë, sepse do të privoheshim prej një madhërie historike që ka filluar epokën e madhe të humanizmit e renesancës historike.
Miti i Gjergj Kastriotit të Skënderbeut është mit fuqidhënës edhe në politikën edhe kulturën, qytetërimin edhe në etiken e popullit shqiptar dhe përpjekjet për bashkimin kombëtar dhe bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, sot dhe gjithmonë ”, u shpreh në fund Qosja.
Veritas.com.al/