Beteja e kryeministrit Edi Rama dhe e socialistëve, për të miratuar sa më shpejt draftin me ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, duket se po shkon drejt dështimit. Teksa 33 deputetë votuan për dërgimin e draftit në Kuvend, duket se PS nuk i ka të gjitha votat që mendonte për të miratuar këtë reformë pa opozitën. Edhe pse Petrit Vasili dhe Tahir Muhedini ishin mes firmëtarëve të draftit, kushti ishte që do vijojnë negociatat me opozitën.
Por negociatat nuk po vijojnë dhe dje u dëshmua qartë se Rama dhe aleatët e tij madje dhe deputetë të PS i ka kundër. LSI abstenoi për dekretin e Nishanit për ligjin e Tahirit për kamerat e sigurisë në ambientet publike, duke treguar krizën mes tyre.
Gazeta “Sot” shkruan se nga ana tjetër, Ilir Meta e ka theksuar disa herë se pa opozitën nuk mund të imagjinohet reforma në drejtësi. Nga ana tjetër, edhe votat e PDIU janë në pikëpyetje. Kjo e fundit ka shumë kohë që kërkon një ministri dhe nuk përjashtohet mundësia që ta vendosë si kusht këtë gjë. Ndërkohë, dje deputeti i saj, Aqif Rakipi, votoi kundër ligjit të Tahirit. Por dy ditët e fundit një paralajmërim ka ardhur dhe nga Eduart Ndocaj, i cili ka thënë se ai bashkë me deputeten Mirela Ferracaku nuk do votojnë një reformë pa konsensus.
Nga një përllogaritje rezulton se Partia Socialiste ka në radhët e saj 63 deputetë, ndërsa dy partnerët e saj në koalicion, LSI ka 20 deputetë dhe PDIU ka 5 deputetë. Në total shkojnë te 88 deputetë. Por në të vërtetë Rama ka rreth 60 vota. LSI ende nuk e ka thënë se do e votojë reformën, po ashtu edhe PDIU është në pikëpyetje. Ndërkohë, në PS ai mund të mos ketë 3 vota, pasi përveç Ndocajt dhe Ferracakut, flitet se dhe Mira Shehu, deputete pranë Kokëdhimës, nuk do e japë votën për një draft jo konsensuale. Pra nga përllogaritjet del qartë se edhe nëse blihen vota te PD ato do jenë pa vlerë.