Nga Andi Bushati/ Dy partitë e mëdha të shumicës janë përfshirë në një debat sa qesharak edhe absurd lidhur me mënyrën se si do të arrihet konsensusi për reformën në drejtësi.

Para pak ditësh, kryeministri Rama vuri veton për të mos i dhënë opozitës vendet që ajo kërkon në komisionet e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërsa këtë të enjte nga selia e LSI, u shpall një qëndrim i ri që i binte krejtësisht ndesh kryesocialistit: “Vijën e kuqe e vendos vetëm komisioni i Venecias” .

Në fakt, kjo nuk është mosdakordësia e vetme mes Ramës dhe Metës, të cilët përbetohen për votimin e shpejtë të reformës.

I pari përsërit pa rreshtur: “patjetër reforma edhe pa opozitën”, ndërsa i dyti i’a pret: “Do ta votojmë që sot, por jo pa marrë pjesë PD”.

Duket qartë, pra ,që pavarësisht propogandës, gjuhës së drunjtë dhe rrahjeve të gjoksit për të përmirsuar drejtësinë, hendeku i qëndrimeve brenda kësaj shumice po bëhet gjithnjë e më i madh.

Megjithëse në krye të një bande kleptokratësh kryeministri ka adaptuar gjuhën e ShBA-sëdhe BE dhe nuk po i nxjerr andralla projektit të tyre për votim sa më të shpejtë. Në një farë mënyre ai ka vënë një bast, që t’i qëndrojë deri në fund fjalës së dhënë për ta kaluar draftin, duke shpresuar ndoshta se koalicioni Berisha – Meta, nuk do ta miratojë kurrë atë.

Kryeparlamentari, më evaziv në qëndrimet publike, përpiqet të luajë me treporta, pra edhe me Ramën dhe me ndërkombëtarët edhe me PD-në. Por një gjë është e qartë si drita e diellit: Ilir Meta është i prirur që të votojë këtë reformë në drejtësi, po aq sa qe i gatshëm të miratonte disa muaj më parë hetimin ndërkombëtar për CEZ-in që e propozoi vetë.

Të gjitha qëndrimet e LSI, që nga fillimi i procesit, tregojnë qartë se ajo ka bërë ç’është e mundur së paku për ta shtyrë atë në kalendat greke.Këtë tashmë e kanë kuptuar të gjithë.

Por çështja është se ka një hendek shumë të madh mes  divergjencave që kanë plasur brenda koalicionit qeverisës dhe deklaratave të dy partive që nën trysninë e ShBA dhe BE e cilësojnë këtë reformë prioritetin e këtij mandati.

Pyetja që shtrohet është: si mund të vazhdojnë të qeverisin bashkë dy parti që nuk bien dakord për atë që kanë shpallur si prioritetin e prioriteteve? Si mund ta vazhdojnë të jenë në koalicion kur njëra, së paku publikisht, thotë se është e gatshme ta votojë dhe tjetra tregon përditë se punon për ta minuar?

Në çfardolloj situate normale, në çdo demokraci ku parimet dhe vlerat vazhdojnë ende të ekuilibrojnë interesat, në çdo vend ku politika nuk perceptohet si një teatër kukllash ku e rëndësishme është të gënjesh spektatorin, një mosmarëveshje e tillë do të çonte në prishjen e aleancës dhe në gjetjen e një formule tjetër.

Por, Rama dhe Meta, pavarësisht nga këto, vazhdojnë të qëndrojnë bashkë. Megjithëse bëjnë sikur zihen për përfshirjen apo jo të opozitës, megjithëse sherrosen se kush do ta vendosë vijën e kuqe, ata janë të bindur se nuk duhet t’i lëshojnë karriget ministrore, ku shpërndahen tenderat, koncesionet dhe privilegjet e pushtetit.

Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që edhe pse duket sikur janë kundër për gjithçka që është politike, dy vllezërit armiq të së majtës vazhdojnë me njëri tjetrin.

Paradoksalisht, nuk ka asnjë paradoks në faktin se ata qëndrojnë në të njëjtën qeveri me gjithë divergjencat themelore. Ata nuk janë në koalicion për ato që shpallin ditën si parimet e mandatit. Ata mbajnë shoku-shokun, për interesat okulte që ndajnë natën.

Dhe kjo është vija reale e kuqe. Ajo vijëvështirë që t’i ndajë nga njëri tjetri, por që po i ndan përditë e më shumë nga shqiptarët. (Marre nga Lapsi.al)