Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u prit në Seul nga kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Min Seok. Në takimin mes homologësh, u diskutuan mënyrat për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve.
Kim tha se mezi pret të zgjerojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, duke vënë në dukje se ka emëruar atë që njihet si “ministri i parë i inteligjencës artificiale (IA)” në botë dhe Koreja gjithashtu i kushton rëndësi IA-së dhe teknologjive të nivelit të lartë.
Rama nga ana e tij tha se Koreja është një burim frymëzimi për Shqipërinë në aspektin e zhvillimit kombëtar dhe të dy vendet kanë shumë ngjashmëri në atë që kanë kapërcyer vështirësitë dhe kanë arritur zhvillim ekonomik dhe demokraci, edhe pse janë shumë larg gjeografikisht.
Ai tha gjithashtu se Shqipëria është e interesuar të forcojë bashkëpunimin në fushat e tregtisë, investimeve dhe IA-së. Takimi u zhvillua ndërsa Rama viziton Seulin për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare.
Fillimisht, në Kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seulit, Rama do të jetë i ftuar në një darkë organizuar nga Qendra për Lidershipin Aziatik dhe Klubi Harvard i Koresë, organizata të angazhuara në promovimin e lidershipit, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Azi. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të politikës, qeverisë dhe biznesit korean, ndërsa Kryeministri do të zhvillojë edhe takime me Kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, si dhe me CEO-n e Samsung.
Në këtë aktivitet kryeministrit do të ketë dhe një fjalë. Më pas Rama do të jetë i ftuar në panelin me temë “Bisedë me një udhëheqës: Një epokë e transformimit të madh: strategjia e madhe e një kombi të vogël”, ku pritet të trajtojë sfidat e reja globale nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, strategjitë e vendeve të vogla përballë ndryshimeve gjeopolitike, si edhe rolin e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital në qeverisje.
Axhenda e tij përfshin edhe një sërë takimesh me drejtues të kompanive koreane, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri.
Në kuadër të vizitës, Kryeministri Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një dialog me liderët e rajonit Azi-Paqësor (APAC).
Kjo vizitë synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si edhe zgjerimin e partneritetit, në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin, teknologjinë dhe inovacionin.
Komente