Ajo që po ndodh me kryeministrin Edi Rama, menjëherë pas rrëzimit të qeverisë nga Meta është tragjiko-komike. Pozicionimi i ri i ish-bashkëkryetarit, e ka bërë që të harrojë Reformën në Drejtësi dhe të mendojë dhe punojë vetëm për fatin e karriges së tij si kryeministër. Është tragjike dhe qesharake njëkohësisht kjo situatë, sepse “kryeministri” që shfaqej 24 orë më përpara arrogant, cinik dhe i plot pushtetshëm, papritur e ka gjetur veten të rrëzuar duke u kthyer nga një “kalorës reformash”, në një llogaritar të vockël.
Duke mos e imagjinuar dot veten jashtë selisë së kryeministrisë (të cilën e ka areduar dhe pikturuar, sikur do të plakej aty) që në ditët e para të muajit gusht, nga fodullëku ka kaluar në përulësi. Sipas njerëzve pranë tij, që mbrëmë, xhepat i ka të mbushur me copa letrash, ku janë të shkruar me laps emra deputetësh. Disa kanë në krah një “ok”, ca janë të rrethuar me të kuqe, të tjerë kanë pikëpyetje përbri…
Çfarë po ndodh kështu me njeriun që herën e fundit, gati duke qarë, lëvizi vetëm pas 9 vitesh nga një karrike e plotëfuqishme?
Ndërkohë që lëvizja e fundit e Metës, ka rindezur një shpresë te ambasadorët Lu dhe Vlahutin, për gjetjen e një formule jo vetëm për kalimin e Reformës në Drejtësi, por edhe krijimin e një Kushtetute të Re, Rama nga pozicioni pasiv, (“bashkë takohemi në 21 korrik”), papritur është shndëruar edhe më aktiv se ambasadorët. Njësoj si ata edhe ai po vrapon sa andej këtej për të siguruar vota, por me synim krejtësisht tjetër.
Nëse ndërkombëtarët po negociojnë me të gjitha palët e rikonfiguruara për të dakortësuar teknikalitet e fundit, Rama po negocion vetë dhe nëpërmjet shtabit që krijoi mbrëmë në Durrës, për të siguruar 71 votat që shpresojnë se do ti riparojnë sa të jetë e mundur, këmbët e thyera të karriges kryeministrore.
Është tragjike kjo gjendje e Ramës, sepse tashmë të gjithë e kuptuan që halli nuk paska qenë Reforma që kërkon 91 vota, por rikonfirmimi i tij si kryeministër që kërkon vetëm 71 vota.
Është qesharak ky pozicion, kur sheh sot Ramën që vetëm pak ditë më parë nuk denjonte as tu fliste me gojë dhe as tu kthente sms-të shumicës së deputetëve të PS-së, tani i lajkaton e i mbush me premtime, personalisht apo duke u dërguar emisarë.
Nuk mund të mos qeshësh, por edhe të mos ndiesh keqardhje, kur mendon Ramën në gjunjtë e Dules të cilin e flaku kur nuk i duhej më, duke përgjuar Idrizin dhe deputetët e PDIU, nëse takohen me Metën apo njerëzit e tij, si ka ngelur në dorë të Mira Shehut që nuk ka denjuar ta takojë asnjëherë në tre vjet rresht, apo si i fshin nga fytyra të pështyrat e Vladimir Kostës dhe i kërkon pajtim “për hir të ditëve të vështira që po kalon partia!”.
Dhe po aq sa Rama, në panik janë hedhur në aksion intesiv edhe minstrat e tij. Ata minstra që me tangërllikun dhe arogancën e tyre, e kanë bërë këto 3 vjet “lesh e li” grupin parlamentar të PS, janë udhëruar që secili sipas zonave elektorale, të zgjidhë me shpejtësi hallet e deputetëve. Personalet dhe të militantëve.
Janë përmbysur sirtarët dhe koshat e letrave, nuk pushojnë telefonat. Është shpallur kushtrimi në parti. Nuk bëhet më fjalë për Rilindjen, ajo ekzistonte vetëm me një grusht njerëzish ministra e drejtorë që talleshin me “militantët”. Tani është në “rrezik pushteti i partisë”…
Çfarë situate!
Nuk di çfarë të bësh më parë, të qeshësh apo të trishtohesh?! /SYRI.net/