Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka lëshuar një mesazh të qartë lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e thënë qartësisht se Tirana nuk është superfuqi dhe nuk i takon të shprehet mbi çështjen apo të flasë për kushte.
Por, pavarësisht kësaj, i takon palëve në dialog të vendosin, të vlerësojnë situatën, të kenë përgjegjësinë për atë mbi çfarë bien dakord dhe në fund të paguajnë çdo kosto, për vendimmarrjet e gabuara që mund të bëjnë.
“Nuk ka asnjë rrugë tjetër veç marrëveshjes. Çdo rrugë tjetër është iluzion, që i krijohet popullit për politikë, vota, luftëra të brendshme. Me të ardhmen nuk ka lidhje”, përmendi kryeministri Rama, duke saktësuar se ai është me mendje dhe vëmendje për nga dialogu, me shpresë se ajo do të kthehet më në fund në një çështje mes dy vendeve.
Kjo, pa pasur nevojën që superfuqitë t’i marrin për veshi, sa herë që grinden në oborrin pas shkollës.
Sa i përket planit franko-gjerman ndërkaq, kryeministri shqiptar mendon se është më i miri që ka qenë ndonjëherë në tavolinë, por ky mbetet thjesht një opinion i tiji.
“Respektoj sovranitetin e palëve”, përmblodhi ai në mbyllje. “Është e pashmangshme që ne të jemi në krah të Qeverisë së Kosovës dhe autoritetit të Kosovës, të cilëve i uroj kthjelltësi, vendosmëri, sukses”.
Mbështetje të plotë për dialogun Kosovë-Serbi ka dhenë edhe kryeministri malazez, Dritan Abazoviç, i cili u pyet po ashtu lidhur me çështjen.
Ai e përkufizoi gjithashtu si “të mirë”, planin franko-gjerman.
“Nuk është çështja jonë të themi si duhet të veprojnë shtetet nga ana politike. Status quo-ja ku ka tensione nuk është në të mirë të askujt. Mesazhi i Podgoricës është se ne mbështesim dialogun, marrëveshjen, ardhmërinë e Ballkanit Perëndimor. Ne nuk mbështesim politikën e ndarjeve, por atë të mirënjohjes, marrëveshjes, progresit ekonomik”.
Bashkëpunimi rajonal vijon me Open Balkan
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur ambicien e integrimit të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimit Evropian “një korsi të përbashkët”, por shpejtësia e së cilës, lidhet krejtësisht me bashkëpunimin rajonal.
Kështu e ka përkufizuar ai dëshirën e madhe euroatlantike të rajonit, në veçanti të Shqipërisë dhe Malit të Zi, gjatë një konference për shtyp të dhënë së bashku me homologun malazez, Dritan Abazoviç, pas mbledhjes së dy qeverive në Podgoricë.
Sipas kreut të Qeverisë, ky është një çast tejet sfidues për gjithë Evropën, si edhe për vendet e Ballkanit.
Ndaj, vlera e një afrimiteti vëllazëror mes vendeve, merr vlerë të shtuar në çaste të tilla.
Rreshtimi krah Ukrainës dhe aleatëve perëndimorë është i padiskutueshëm për Ramën në kushtet ku gjeopolitika ndodhet sot.
Teksa, pikërisht agresioni rus në Ukrainë, i ka bërë më të ndjeshme palët në Bashkimin Evropian, ku përmendi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, datën e liberalizimit të vizave për Kosovën, apo marrjen e statusit të vendit kandidat për Bosnjë dhe Hercegovinën.
Një aspekt tjetër, të cilin ai përmendi, ishte edhe nisma rajonale Open Balkan, në të cilën Mali i Zi ende nuk aderon, por ka shprehur dëshirën për të vlerësuar iniciativën.
Madje, ai ka lajmëruar po ashtu se samiti i radhës i nismës rajonale, do të mbahet pikërisht në Malin e Zi dhe se vetë Abazoviç, ka qenë ai, i cili ka shprehur dëshirën për këtë gjë.
Paralelisht, është edhe Procesi i Berlinit, linja e ndjekur nga Evropa për një plan rajonal të bashkëpunimit.
Mirëpo, kjo e fundit sipas kreut të Qeverisë shqiptare, është shumë e avashtë në jetësimin e marrëveshje dhe ndaj, duhet të jetë vetë Ballkani, ai i cili kujdeset për veten, pasi të dy nismat, janë komplementare në vetvete.