Kryeministri Edi Rama përgëzoi Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, “për rolin vendimtar të luajtur dhe përpjekjet e vazhdueshme” për arritjen e marrëveshjes mes Ukrainës dhe Rusisë për kalimin e sigurt të grurit.
“Kjo tregon edhe një herë se dialogu dhe diplomacia janë të vetmet mënyra për të zgjidhur problemet mes shteteve. Chapeau!”, tha Rama në një mesazh të shkurtër në Twitter.
Ukraina dhe Rusia kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen që do të lejojë eksportin e grurit nga portet në Detin e Zi. Marrëveshja u firmos nga delegacionet e të dy vendeve në Stamboll këtë të premte, pas muajsh negociata të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Sipas marrëveshjes, Ukraina do të rifillojë të eksportojë grurin, diçka që deri tani nuk ishte lejuar ta bënte nga ushtria ruse, që ka pushtuar vendin prej datës 24 shkurt. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 20 milionë tonë grurë kishin mbetur të bllokuara në Ukrainë, ndërkohë që sezoni i korrjeve është në pikun e tij.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se marrëveshja do të shmangë rrezikun e urisë. “Miliona njerëz do të lehtësohen nga rreziku i urisë”, tha Erdogan. “Në ditët e ardhshme, do të nisë edhe kalimi i anijeve dhe shumë shtete do të mund të marrin frymë lirisht”.
Marrëveshja është e vlefshme për 120 ditë nga data e nënshkrimit dhe mund të zgjatet për po kaq ditë, nëse asnjë nga palët nuk deklaron se dëshiron ta ndërpresë.