Përtej krizës globale, Shqipëria nuk do të përjetojë një rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe nuk do të ketë ndërprerje të dritave. Kjo është një nga pikat më kryesore të planin të prezantuar ditën e sotme nga kreu i qeverisë Edi Rama, për të mbrojtur konsumatorin. Për përballimin e kësaj krize, që faza agresive pritet të jetë deri në verën e ardhshme, qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 200 mln euro, 100 prej të cilave do të shkojnë për KESH (Korporata Elektroenergjitike Shqiptare) dhe 100 mln euro të tjera për 2 pika e tjera të planit, pa mos rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit.

Duke e refuzuar kategorikisht çdo pretendim e çdo ide, se kjo krizë e rëndë nuk ka lidhje me Shqipërinë, Rama në fjalimin e tij 30 minutësh, është ndalur që t’u kthejë një përgjigje të gjitha akuzave që kanë mbërritur në drejtim të tij nga opozita gjatë kësaj kohe, që kur ka paralajmëruar pasojat që mund të bien mbi vendin tonë. Së pari, numri një i qeverisë është shprehur se nuk mund të rriten pensionet dhe pagat minimale 300-500 euro, kjo sepse atëherë brenda 2 viteve vendi ynë do të falimentonte dhe do të njihte krizën më të madhe të urisë.

“Dikush mund të thotë e mirë, po këto s’janë asgjë, për sa kohë nuk rriten pensionet në mënyrë domethënëse. Disa madje thonë, bëje pensionin minimal 300 euro dhe pagën minimale 500 euro, pastaj mund të kesh fytyrë e të na dalësh përpara.  Unë ju them, nëse ne e rrisim pensionin minimal sot jo në 300 euro, po në 300 mijë lekë, në fund të vitit të ardhshëm ne duhet të mos bëjmë më investime dhe brenda 2 vjetësh, do të përjetonim falimentimin më tragjik të shtetit, ku jo vetëm s’do kishte më pensione, po për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga koha e Skënderbeut, do të shikonim çfarë do të thotë në të vërtetë të mos ketë bukë për të ngrënë. Ndërsa nëse e rrisim edhe pagën minimale jo në 500 euro, po në 500 mijë lekë, na duhet vetëm një vit të hyjmë në krizën e parë të urisë në 500 vjet histori. E thënë ndryshe, që të jemi të qartë, pagat e pensionet në një vend, rriten njësoj si të ardhurat në një shtëpi dhe nuk ka prind në botë, që nuk do t’i japë më shumë fëmijës së tij, por po ashtu nuk ka prind të përgjegjshëm në botë, që i jep fëmijës sot edhe atë që duhet për nesër dhe nesër e le fëmijën të vdesë për bukë”, tha Rama.

Plani i qeverisë për krizën energjetike
1.Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara
2.Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara
3.Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.