Prezantohet Shërbëtori Publik i Inteligjencës Artificiale, Asistenti Virtual 1.0 i çdo qytetari në e-Albania.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shërbëtori publik do të jetë në dispozicion të çdo qytetari në 24 orë të ditës për marrjen e shërbimeve në e-Albania.

Kryeministri theksoi se brenda vitit 2024 do të jetë “drejtpërdrejtë” edhe Asistenti Virtual 2.0, i cili do të shfaqet edhe me zë e me figurë dhe do ta bëjë vetë të gjithë procesin e aplikimit për llogari të qytetarit.

“Moment i rëndësishëm i komunikimit mes qytetarëve dhe të gjitha institucioneve në funksion të shërbimeve. Është një shembull kuptimplotë i një epoke të re që ka përfshirë të gjithë botën dhe në të cilën ne duam të bëjmë gjithçka, për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të inteligjencës artificiale në funksion të cilësisë së shërbimeve, transaparencës së vendimmarrjeve, pastërtisë të gjithë proceseve të brendshme të institucioneve shtetërore në funksion të ;lehtësimit të jashtëzakonshëm të procedurave për qytetarët dhe sipërmarrjen dhe në funksion të modernizimit tërësor të gjithë ngrehinës sonë shtetërore.

Në vigjilje të vitit të ri do vëmë në shërbim të qytetarëve një shërbëtor publik, një asistent i cili do jetë në dispozicion në çdo orë të ditës dhe natës pavarësisht ditëve të punës apo pushimit për t’i ndihmuar qytetarët që në ndërveprimin me e-Albania të marrin shërbimin e tyre pa pasur nevojë për ndihmë tjetër“, tha Rama.