Rana e Hedhun është një nga gjiret më të bukur të detit Adriatik në Veri të Shëngjinit. Pas viteve ’90 kur u lejuan të shfrytëzohen për publikun (më parë ishte zonë ushtarake), kjo zonë u kthye në një nga më tërheqëset në bregun e Adriatikut.
Por vetë toponimi “Rana e Hedhun’ tregon se asnjë dorë njeriu nu e ka krijuar dhe as ka qenë pronar i këtij gjiri. Pronar i vetëm është era që fryn furishëm në këtë zonë. Era ka grumbulluar, ose ‘hedhur’ edhe rërën në këtë gji, që tashmë është kaq i lakmueshëm.
Por kohët e fundit është konstatuar se ‘Rana’ dhe zona për rreth kanë pronarë. Pronësia mbi këto sipërfaqe tokë është vendosur në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar një sipërfaqe prej 285 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare Rana e Hedhun, në Shëngjin. Kjo sipërfaqe dyshohet se është përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar. Ajo është e ndarë në 5 parcela dhe aktualisht gjendet në pronësi të disa persona të ndryshëm.
Prokuroria e Lezhës nisi hetimin, në bazë të kallëzimit të një shtetasi, i cili posedon dokumente zyrtarë për pronësinë mbi këtë tokë, por që në fakt rezulton se është regjistruar në emër të personave të tjerë.
Nga hetimet ka rezultuar se 5 parcelave iu është ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme zëri kadastral nga zonë pyjore, në zonë në pemtore e tokë arë. Dhe, më pas, këto prona janë tjetërsuar në bazë të dokumenteve të falsifikuar.
Në këto kushte, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se parcelat, sipërfaqja totale e të cilave është rreth 285 mijë metra katrorë, është përfituar dhe regjistruar në bazë të dokumentave të fallsifikuar. Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi nga Gjykata e Lezhës vendosjen e sekuestros.
Veritas.com.al/