Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka reaguar pas lajmit të publikuar që implikon atë dhe të afërm të tij në aferën “CEZ”. Lapsi.al botoi dëshminë e biznesmenit Venigjar Begaj që akuzonte Naçon për shkatërrimin e biznesit të tij pas prishjes së kontratën me CEZ për kolaudimin e matësave. Begaj thotë se pranoi që fillimisht pjesë e kompanisë së tij të bëhej me 45% të aksioneve krushku i Naços, Qirjako Kongoli. Ai thotë se më pas iu kërkua që ky person të merrte 80% të kompanisë së tij, por që nuk e pranoi. Kjo ka bërë që të ndërpriteshin kontratat dhe biznesi të shkonte drejt falimentimit.

Por ministri Naço thotë se nuk ka asnjë lidhje me biznesmenin Venigjar Begaj dhe se gjatë periudhës së dhënies së licencës së kompanisë së tij më 05.03.2010 si “subjekt i autorizuar” me një afat 3-vjeçar, ashtu edhe në heqjen e saj 13.12.2012, ai nuk ka qenë Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Ministri Naço thotë se nuk ka asnjë lidhje gjaku me personat e përfshirë në kontratën e kompanisë CSC duke mohuar lidhjet e krushqisë me zotin Qirjako Kongoli.

“Problemet që ka kompania e zotit Begaj, nuk justifikojnë përbaltjen e të tjerëve” – thotë Naço që premton se do të publikojë fakte për këto akuza.