Pavarësisht mungesës së kryeministrit Edi Rama, mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka zgjatur mbi 1 orë e gjysmë duke tejkaluar çdo pritshmëri.Një nga pikat që ka ngjallur më shumë diskutime ka pasur të bëjë me pakënaqësinë e shprehur prej deputetëve socialistë në lidhje me emërimet e drejtorëve nëpër dikastere dhe institucione të ndryshme. Në qendër të kritikave të deputetëve të Partisë Socialiste ka qenë jo vetëm performanca e drejtorëve, por edhe prejardhja e tyre partiake.
Deputetët kanë kërkuar që ata të kalohen në sitë për të parë nëse mes tyre ka dhe emërime politike të demokratëve, duke u shprehur se këta të fundit po godasin njerëzit e PS-së.
Deputetët shpjeguan pakënaqësinë e tyre, me faktin se ka një ndarje mes atyre që vendosin për reformat dhe atyre që i zbatojnë ato.
Deputetet i kërkuan llogari edhe ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, edhe për inspektorët e tatimeve, duke e pyetur se përse mbahen në punë këto inspektorë, megjithëse kapen me abuzime.
Por një përgjigje e prerë ka ardhur nga ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike për deputetet e pakënaqur me punësimin.
Milena Harito i ka thënë se emërimet në administrate duhet të bëhen përmes konkurseve dhe jo përmes njohjes së deputeteve.