L. Skiroi
Pas 90 minuta bisedime mes Ilir Metës (kryetar i Kuvendit) dhe Edi Ramës, (kryeministër), menjeherë në zyrën e kryeministrit kanë trokitur dy ambasadorët kryesorë. Fillimisht ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, dhe pas pak ambasadorja e Bashkimit Europian, Vlahutin.
Kryetari i Kuvendit, ndryshe prej sjelljes së tij të zakonshme me publikun, nuk ka ndaluar asnjë hap opara gazetarëve. Në fakt pritej që kryetari i Kuvendit të fliste për mediat mbi bisedimet me kryeministrin.
Por me sa duket, kryetari i Kuvendit, Meta, ka folur me telefon me dy ambasadorët (Lu dhe Vlahutin) të cilët prisnin një rezultat nga bisedimet. Me sa duket, nga pala e Metës në bisedime, është çuar fjalë te ambasadorët se “nuk ka asgjë të re nga bisedimet me Ramën”. Ose e thënë në drejtpërdrejt, ambasadorët kanë kuptuar se kryeministri Rama “nuk lëviz nga qëndrimet e tij” për “vendet e rezervuara” dhe votimi me 3/5 në Kuvend.
Por kjo do të thotë nj pozitë vendnumëro në procesin e miratimit të Reformës në Kuvend.
Kjo i ka shqetësuar ambasadorët e SHBA dhe BE, të cilët kanë lënë zyrat dhe i janë drejtuar zyrës së kryeministrit Rama.
Me sa duket bisedimet do të kenë në qendër përpjekje për të zhbllokuar qëndrimin e kryeministrit
Çfarë ka ndodhur me ecejaket e fundit të zyrtarëve të lartë?
Ilir Meta bisedoi sot në mëngjes, me aleatin, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për miratimin e reformës në Drejtësi. Një ditë më parë ai u takua edhe me kryetarin e PD, Bashën, i cili e njohu zyrtarisht me qëndrimin e opozitës: “Sipas paragrafit 88 të rekomandimit final të Komisionit të Venecias, nëse palët nuk bien dakord për 2/3, atëherë mund të adoptojnë sistemin proporcional të përfaqësimit në institucionet e larta të drejtësisë”, i kujtoi Basha atij.
Kjo do të thotë se opozita vazhdon të kërkojë vendet e rezervuara.
Kryeministri Rama ka thënë prerazi se nuk do ta pranojë. Ai kërcënoi të enjten në parlament me miratimin e draftit me vota të trafikuara: “Do të gjendet ndonjë vëlla nga ju për ta votuar”, u tha ai deputetëve të opozitës. Ky kërcënim vinte pasi ambasada e SHBA bëri një deklaratë, në të cilën shprehte zhgënjim që opozita nuk u tregua fleksibël në negociata, ndërsa qeveria po. Ambasada u bënte thirrje deputetëve të votonin në mënyrë individuale.
Por qëndrimi i prerë i opozitës, se në qoftë se edhe sikur një nga deputetët e saj do ta votonte draftin e dërguar në kuvend pa konsensusin e saj, ajo do ta braktiste Kuvendin dhe do të digjte mandatet, e ka bërë qeverinë dhe pas saj edhe ambasadorët, të tërhiqen.
Asnjëri prej tyre duket se nuk ta pranonte përgjegjësinë e nxjerrjes së opozitës jashtë parlamentit dhe futjen e vendit në një krizë të thellë politike.
Kur Rama dhe dy ambasadorët kryesorë në vend i shteruan mundësitë e tyre të negocimit, aq më tepër kur opozita shprehu mos-besueshmëri edhe tek diplomatët, në lojë hyri Ilir Meta. Ai u shfaq si kryenegociator dhe si njeri që deri tani ka qëndruar jashtë lojërave për reformën, ndonëse në takimin Rama – Basha ai përfaqësohej me Petrit Vasilin. Tha se e dëgjoi Bashën dhe mbajti shënim, pasi nuk ishte njohur më parë me qëndrimin e opozitës. Kështu Meta u duk se shfaqi mirëkuptim me kërkesën e opozitës, që mbështetej në rekomandimet e Venecias. Ai foli për garanci për legjitimitet në miratimin e draftit, duke nënkuptuar se ishte kundër votave të trafikuara. Kjo nismë e Metës si negociator i ka rivënë edhe njëherë në lëvizje të gjithë aktorët, të cilët, me opozitën që këmbëngul fort në llogoren e saj duke tundur lart “opinionin e Venecias”, duket se po i shkojnë pas Ilir Metës, që nga ana e tij po e shfrytëzon këtë rast për t’u faktorizuar edhe njëherë si “njeriu i zgjidhjes së ngërceve”.