Kreu i LSI-së Ilir Meta nuk iu bind kërkesës së Gramoz Ruçit për procedurën që duhet të ndiqet nga Kuvendi për reformën në drejtësi.
Zyra e shtypit njoftoi se sot rreth orës 18:00 do të mblidhet Këshilli i Rregullores, për të interpretuar propozimin e Gramoz Ruçit. Socialistët në fakt kërkuan nga mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Sipas Ruçit duhej të njoftohej Kuvendi që këtë të enjte për projektligjet që Komisionin i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi ka hartuar, me qëllim shqyrtimin e tyre gjatë muajit korrik.
Meta nuk i ktheu përgjigje letrës publike të Gramoz Ruçit.
Në vend të kësaj, ka thirrur Këshillin e Rregullores për të marrë vendim. Për Partinë Demokratike, kërkesa për të futur në kalendarin e Kuvendit projektin për kapjen politike të gjyqësorit është një provokim i rëndë ndaj opozitës, parlamentarizmit. Opozita ka vetëm një kusht për miratimin e Reformës në Drejtësi dhe ky është zbatimi i rekomandimit 88 të Venecias.
Mosdakortësia nuk i ndal socialistët që janë gati ta hedhin në votim paketën kushtetuese, pavarësisht paralajmërimit se ajo do të dështojë. Javen e kaluar, paketa e reformës u fut në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit fshehtas.
Pas denoncimit të opozitës, kreu i Kuvendit u detyrua të takohet me Lulzim Bashën dhe e quajti keqkuptim një procedurë të tillë.