Tensione në mbledhjen e Komisionit të Medias që drejtohet nga demokratja Flutura Açka, e cila është e rreshtuar në radhët e Lulzim Bashës.

Opozita ka ndërhyrë në mbledhjen e Komisionit të Medias dhe ka penguar këtë mbledhje.

Deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka janë përballur me kolegen e tyre demokrate Flutura Açka, e cila drejton Komisionin e Medias, ku të pranishëm ishin edhe deputetët e Partisë Socialiste.

Bardhi dhe Noka i kërkuan Açkës të ndërpresë komisionin dhe “mos t’i shërbejë Edi Ramës”.

“Mos u bëni fasadë, ngri zërin për komisionet hetimore. Ngri zërin për të drejtat e opozitës. Në atë karrige je aty me votat tona. Leji deklaratat, përrallat e Edi Ramës o Flutura. Je me votën time aty, nuk je me votën e Evis Kushit. E kemi pasur përballë Evis Kushin. Po i shërben Edi Ramës. Turp. Fike mikrofonin tani. Turp se je dhe zonjë, ti shërbesh Edi Ramës. Për çfarë i bën këto skena tani”, ju drejtuan Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, Flutura Açkës.

Mes tyre pati edhe përplasje pasi deputetët Noka dhe Bardhi fikën mikrofonat me forcë.