Një raketë ruse e mbushur me bombë thërrmuese u hodh jashtë një spitali në qytetin ukrainas të Vuhledar-it, në ditën e parë të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

 Bilanci: katër civilë të vrarë dhe 10 të plagosur të tjerë.

Të nesërmen, një raketë e ngjashme, goditi një kopsht në qytetin e Okhtyrka-s.

 Bilanci: tre civilë të vrarë, mes të cilëve një fëmijë.

Më 28 shkurt, teksa sulmi rus u intensifikua, breshëri raketash ranë mbi një lagje banimi në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.

Bilanci: të paktën 11 njerëz të vrarë dhe dhjetëra të plagosur të tjerë.

Sulme të tilla, sipas grupeve të të drejtave të njeriut dhe ekspertëve ligjorë, mund të përdoren për të ngritur një çështje për kryerjen e krimeve të luftës – ndoshta kundër vetë presidentit rus, Vladimir Putin.

Të hënën, vetëm disa ditë pasi Putin-i, nisi pushtimin e tij, Karim Khan, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), njoftoi hapjen e një hetimi për “Situatën në Ukrainë”.

Zyra e tij kishte vërtetuar tashmë se, ekzistonte një “bazë e arsyeshme për të besuar” se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit ishin kryer në vend që nga ditët e para të revolucionit të tij të vitit 2014 dhe inkursioneve pasuese ruse në Krime dhe Ukrainën Lindore.

Për momentin, duket e pamundur që Putin-i të dalë në gjyq së shpejti.

Dhe Khani, bashkë me hetuesit e tjerë ligjorë, do të shikojnë shkeljet nga të gjitha palët e përfshira.

Por nuk ka dyshim se sulmi i kësaj jave ka rritur ekspozimin e liderit rus ndaj drejtësisë, sipas ekspertëve ligjorë dhe avokatëve të të drejtave të njeriut të intervistuar nga prestigjiozja “POLITICO”.

Pas vitesh në të cilat Putin-i operoi me njëfarë shkalle mohimi – ose në fusha në të cilat prokurorët kanë juridiksion të kufizuar – presidenti rus ka udhëhequr hapur sulmin ndaj Ukrainës, duke shkaktuar zemërim në mbarë botën.

“Ndryshe nga situatat e tjera, ku mund të argumentoni se ka forca, që janë atje duke bërë gjëra të këqija, kjo lloj mbrojtjeje nuk do të funksionojë këtu”, tha Stephen Rapp, i cili shërbeu si ambasador i Përgjithshëm i SHBA-ve për çështjet e krimeve të luftës nga viti 2009 deri në 2015.

Ukraina është, natyrisht, larg nga të qenit i vetmi vend ku Putini ka bërë luftë.

Ndërsa luftimet vijojnë dhe hetuesit ligjorë kanë nisur të bëjnë punën e tyre, “POLITICO” shqyrton gjithashtu çështjen në një kuadër më të thelluar kundër presidentit rus – nëse ai do të përballet ndonjëherë me gjyq për veprimet e tij në Hagë.

(Një ushtar ukrainas patrullon mbi shinat hekurudhore në periferi të Irpin më 1 mars, duke kaluar pranë trupave të dy ushtarëve rusë | Marcus Yam / Los Angeles Times)
Çeçeni dhe Siri

Për të ngritur akuzën e krimeve të luftës ndaj dikujt, që nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt, prokurorët duhet të vërtetojnë tri fakte.

Si fillim, atë që i akuzuari kishte kontroll efektiv mbi vartësit, që kryenin krimin.

Së dyti, ata dinin ose ishin në dijeni për krimet që po kryheshin dhe nuk bënë asgjë për të ndaluar apo ndëshkuar ata që janë drejtpërdrejt përgjegjës.

“Me Putin-in, pjesa efektive e kontrollit, e cila shpesh mund të jetë shumë e vështirë, është e lehtë”, tha Kevin Jon Heller, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Kopenhagës.

Kjo për arsye se ai ka kontroll efektiv mbi të gjithë ushtrinë ruse, sepse është Komandanti i Përgjithshëm.

“Pyetjet e vërteta, në një situatë specifike, atëherë janë: a dinte Putin-i për krimet? A duhej të dinte për krimet? Dhe, nëse po, a bëri ai gjithçka që ishte e arsyeshme për t’i ndaluar ose ndjekur penalisht ata?” shtoi Helleri.

Grupet e avokatimit kanë dokumentuar ato, që i përshkruajnë si krime të dukshme lufte nga ushtria ruse gjatë luftës 1999-2000 në Çeçeni.

Në shkurt të vitit 2000, ushtria ruse bombardoi fshatin Katyr-Yurt dhe një kolonë refugjatësh, duke vrarë 363 njerëz dhe i hodhi shumë prej trupave në një varr masiv.

Kjo, sipas një hetimi nga gazeta britanike “Observer” dhe televizioni “Channel 4”.

“Human Rights Watch” i përshkroi si “zhdukje të detyruara, tortura dhe ekzekutime të përmbledhura sistematike të kryera nga forcat ruse kundër popullit çeçen gjatë dhe pas luftës”.

Kohët e fundit, në luftën siriane, trupat ruse kryen shtatë sulme ajrore në shkolla dhe objekte mjekësore në 2019-ën dhe 2020-ën.

Organizata arriti në përfundimin se forcat ruse dhe siriane kryen “një mori shkeljesh serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar, që përbëjnë krime lufte”.

(Një prift ortodoks rus – automatik në njërën dorë dhe një kryq në tjetrën – vëzhgon një varr masiv me civilë të vrarë në betejën për Grozny, Çeçeni, në 1995 | Vladimir Mashatin/EPA)

Në një raport të vitit 2020, “Human Rights Watch” dokumentoi krime të dukshme lufte gjatë një sulmi 11-mujor në 2019-ën dhe 2020-ën në provincën e Idlib-it në veriperëndim të Sirisë.

Aty sulmet lanë të vdekur të paktën 1,600 civilë.

Në raport thuhej se Putin-i, i cili si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ruse mbante përgjegjësinë komanduese, informohej çdo ditë për progresin dhe statusin e detyrave të operacioneve ushtarake.

Udhëheqësi rus, jo vetëm që nuk bëri asgjë për të ndaluar shkeljet e mundshme të ligjit ndërkombëtar, por e falënderoi publikisht ushtrinë e tij gjatë një vizitë në Damask në vitin 2020.

Thuhet gjithashtu se Putin-i i dha komandantit rus, që drejtoi operacionet në Siri nga prilli deri në shtator 2019, titullin më të lartë të nderit të vendit.

Megjithatë, në çdo sistem ligjor, thjesht të provosh se ka ndodhur një krim nuk mjafton, edhe një gjykatë duhet të ketë juridiksion.

Kur bëhet fjalë për Çeçeninë dhe Sirinë, Gjykata Ndërkombëtare Penale dështoi.

Lufta e Putin-it në Çeçeni ndodhi përpara se Gjykata të krijohej në korrik të vitit 2002 – duke e bërë çdo krim që ndodhi atje përgjithmonë jashtë mundësive të saj.

Kur bëhet fjalë për Sirinë, as Moska dhe as Damasku nuk janë anëtarë të gjykatës, që do të thotë se prokurorët e saj nuk mund të hetojnë krimet në asnjërin vend.

Kjo, përveç nëse njëri prej tyre do të regjistrohej më vonë, ose do të pranonte juridiksionin e Gjykatës – një perspektivë e pamundur për momentin.

(Trupi i një fëmije bllokuar nën rrënoja pas sulmeve ajrore dhe sulmeve tokësore në Idlib, Siri, në 2019 | Izzeddin Idilbi/Agjencia Anadolu përmes Getty Images)
Gjeorgjia dhe Donbas-i

Prokurorët e Gjykatës kishin juridiksion, kur bëhet fjalë për sulmin e Putin-it në vitin 2008 ndaj Gjeorgjisë dhe pushtimet e tij në Ukrainë.

Por, deri më tani, përpjekjet e tyre në të dyja vendet nuk kanë dhënë rezultat.

Gjykata Ndërkombëtare Penale hapi një hetim mbi luftimet në Gjeorgji pasi mori mijëra dëshmi, ku dokumentoheshin krimet e dyshuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Ben Emmerson, avokat britanik që përfaqësoi Gjeorgjinë në një çështje të veçantë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, tha se, qendrat e paraburgimit të Rusisë për gjeorgjianët etnikë “të kujtonin kampet e përqendrimit”.

Ai përmendi trajtimin çnjerëzor, si detyrimi i të burgosurve për të varrosur trupat në varre masive dhe torturat.

“Ndër rrëfimet më të tmerrshme, njërit i hoqën dhëmbët me pincë”, tha Emmerson, dhe “një të burgosuri iu pre veshi”.

Në vitin 2021, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, zbuloi se Rusia kishte penguar kthimin e rreth 20 mijë gjeorgjianëve etnikë, që ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe se kishte dështuar të hetonte krimet e mundshme të luftës.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për çështjen e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, nuk ka pasur shumë përparim.

“Deri më sot, nuk është lëshuar një urdhër arresti”, tha Ilya Nuzov, kreu i zyrës së Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore për Federatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Ai shton se, për të gjitha qëllimet duket se ai hetim ka përfunduar pak a shumë.

Ukraina mund të jetë një pikë kthese.

Deri vonë, puna e Gjykatës atje ka qenë e pakët.

(Kryeqyteti piktoresk i Gjeorgjisë, Sukhumi, ishte një qytet fantazmë pasi luftimet në vitet 1990 detyruan pothuajse çdo gjeorgjian etnik të largohej nga shtëpitë e tyre | Natalia Kolesnikova/AFP nëpërmjet Getty Images)

Kryeprokurori i saj i mëparshëm përfundoi një ekzaminim paraprak në dhjetor 2020, duke arritur në përfundimin se kishte një “bazë të arsyeshme” për të besuar se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit ishin kryer.

Por, përmendi “kufizimin e kapacitetit”, “burimet e tepërta” dhe pandeminë COVID-19 si pengesa për të vazhduar me një hetim zyrtar.

“Kjo mungesë veprimi na zhgënjeu shumë”, tha Oleksandra Matviychuk, drejtuese e Qendrës për Liritë Civile, organizatë e të drejtave të njeriut me bazë në Kiev.

Ajo tregoi se kishte mbledhur personalisht dëshmi nga qindra viktima nga të dyja palët gjatë viteve të para të konfliktit në rajonin Donbas të Ukrainës Lindore.

“Më kanë treguar se si i kanë rrahur, përdhunuar, torturuar me rrymë, se si i kanë goditur me kuti druri, si jua kanë prerë gishtat. Një grua më tregoi se si i nxorën sytë me një lugë”, tha ajo.

Lufta e gjithanshme e Putin-it ndaj Ukrainës u ka dhënë një shtysë të re thirrjeve për drejtësinë ndërkombëtare.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, denoncoi bombardimin e Kharkiv-it si një “krim ushtarak” dhe bëri thirrje për hetim nga një Gjykatë Ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, dënoi sulmet në një jetimore në Volzel, jashtë Kievit, dhe në kopshtin e fëmijëve në Okhtyrka, dhe kërcënoi me veprime ushtarake.

“Së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme ne po mbledhim këtë dhe fakte të tjera, të cilat do t’i dërgojmë menjëherë në Hagë”, tha Kuleba.

Të hënën, ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, akuzoi Rusinë për përdorimin e një arme termobarike, të quajtur gjithashtu një bombë vakum sepse shpërthimi i saj thith oksigjenin nga ajri.

Markarova tha se, sulmi ishte në kundërshtim me konventat e Gjenevës, të cilat përbëjnë bazën e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Nuzov tha se mendon se Putin-i “me të vërtetë e kaloi kufirin” me pushtimin e ri.

“Dallimi është me të vërtetë se ai është kaq i hapur, i pacipë dhe i hapur… Është thjesht një shpërfillje e plotë e ligjit ndërkombëtar”, shtoi ai.

Që nga përshkallëzimi i luftimeve javën e kaluar, Rusia ka mohuar se ka shënjestruar civilët.

“Asnjë goditje nuk po bëhet në infrastrukturën civile”, tha ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, në një konferencë shtypi në Moskë më 25 shkurt.

(Armët e përdorura nga Rusia në Ukrainë)
Putin-i në gjyq?

Putin-i në bankën e të akuzuarve, nuk do të ishte lideri i parë kombëtar, që do të mbante përgjegjësi për krimet e tij të supozuara gjatë kohës që ishte në detyrë.

Gjykatat kombëtare dhe Ndërkombëtare kanë gjykuar ish-udhëheqës si Slobodan Millosheviç-i i Serbisë, Charles Taylor-i i Liberisë dhe Saddam Hussein-i i Irakut.

Qëkur Gjykata Ndërkombëtare Penale nisi veprimtarinë në vitin 2002, ajo ka lëshuar urdhër për tre liderë kombëtarë – Omar al-Bashir të Sudanit, Muammar Gaddafi të Libisë dhe Laurent Gbagbo të Bregut të Fildishtë – dy prej tyre, ndërsa ishin ende në pushtet.

Nëse Gjykata lëshon një urdhër kundër Putin-it, ka pak arsye për të besuar se ai do të ekzekutohej shpejt – Kushtetuta e Rusisë e ndalon atë të ekstradojë qytetarët e saj – por kjo mund ta bëjë jetën e tij më të vështirë.

Ekzistojnë mendime të ndryshme juridike nëse vendet mund ose duhet të arrestojnë krerët e shteteve, kur Gjykata Ndërkombëtare Penale i udhëzon ata ta bëjnë këtë.

Por vendet perëndimore – veçanërisht ato që kanë nënshkruar juridiksionin e Gjykatës – do të viheshin nën presion për të arrestuar Putin-in.

“E kanë nënshkruar dhe duhet ta dorëzojnë atë. Nëse nuk e arrestoni, shkatërrohet GJNP-ja”, tha Catherine Gegout, profesoreshë e asociuar në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Nottinghamit dhe autore e “Gjykata Ndërkombëtare Penale: kufijtë, potenciali dhe kushtet për promovimin e drejtësisë dhe paqe”.

Presidenti i atëhershëm, Omar al-Bashir ndërpreu një udhëtim në Afrikën e Jugut në vitin 2015, ndërsa gjykatësit peshuan nëse ai duhet të akuzohej për krime lufte dhe gjenocid Në foton më lart, dosja e tij e çështjes në Gjykatën e Lartë të Gauteng-ut të Veriut në Pretoria | Mujahid Safodien / AFP përmes Getty Images

Gjatë dekadës në të cilën al-Bashir sundoi Sudanin me një urdhër mbi kokën e tij, shpesh nuk e kishte mundësinë e udhëtimit.

Në vitin 2013, ai ndërpreu pjesëmarrjen në një Samit dyditor të Bashkimit Afrikan në Nigeri, pasi aktivistët atje ngritën një padi për të detyruar Qeverinë e tyre ta arrestonte.

Dy vjet më vonë, ai u detyrua të largohej nga Afrika e Jugut, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në një samit tjetër, pasi gjykatësit lëshuan një urdhër për arrestimin e tij.

Nëse Putin-i do të kufizonte udhëtimin e tij në vendet, ku mund të mbështetej për të mos e arrestuar, rruga e tij më e mundshme për në bankën e të akuzuarve do të hapej kur ai të largohej nga detyra.

“Kjo duket e pamundur tani”, tha Michael McFaul, i cili ishte ambasador i SHBA-ve në Rusi nga 2012-ta deri në 2014-ën.

Ndërsa sulmi i Putin-it ndaj Ukrainës është nuk po gjen mbështetje, veçanërisht në mesin e elitës, jeta e së cilës po dëmtohet nga sanksionet, presidenti rus ka një kontroll të ngushtë në vendin e tij.

“Është një gjë të jesh i pakënaqur, është një tjetër të bësh diçka për të”, tha McFaul.

Me njoftim

Rusia nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Moska nënshkroi Statutin e Romës që drejton Gjykatën në vitin 2000, por kurrë nuk e ratifikoi atë.

Si një shenjë se ai mund t’i japë më shumë rëndësi Gjykatës sesa i lejon, Putin-i tërhoqi nënshkrimin e Rusisë në vitin 2016, kjo ndodhi një ditë pasi Gjyqësori publikoi një raport ku përshkruhej aneksimi rus i Krimesë si një okupim.

“Unë mendoj se Putin-i është i shqetësuar jo vetëm për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ai është i shqetësuar për një Gjykatë ruse, ai është i shqetësuar për të gjitha llojet e gjykatave”, tha Bill Browder, kritik i vjetër i Putin-it.

Kjo, sipas tij, është arsyeja kryesore që ai duhet të qëndrojë në pushtet deri në fund të jetës së tij, sepse e është i vetëdijshëm se, “nëse nuk është më në pushtet, rusët do ta ndjekin penalisht”.

Ndërsa Ukraina nuk është as anëtare e Gjykatës, ajo ka pranuar juridiksionin e saj për krimet e kryera në territor, që nga fillimi i revolucionit Maidan në nëntor të 2013-ës.

Situata në Ukrainë – një luftë në shkallë të plotë midis dy shteteve sovrane e kryer nën dritën e plotë të vëmendjes ndërkombëtare – është e ndryshme nga ujërat e turbullta në të cilat shpesh veprojnë Prokurorët e shkeljeve të ligjit ndërkombëtar.

(Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë | Martijn Beekman / EPA)

Përveç rënies në gjurmët e përgjegjësisë në zinxhirin komandues rus, nëse Putin do të përdorte të njëjtat taktika brutale, që ka përdorur në konflikte të tjera, ai pothuajse me siguri do të ishte i prekshëm ndaj akuzave për krime lufte.

Këto mund të rezultojnë nga sulme të qëllimshme kundër civilëve ose objekteve joushtarake, si dhe sulmeve të qëllimshme kundër njerëzve, instalimeve ose automjeteve të përfshira në ndihmën humanitare – me fjalë të tjera, bombardimet pa dallim që forcat e armatosura ruse kryen në Çeçeni dhe Siri.

“Të dhënat ruse gjatë konflikteve janë shumë të dobëta”, tha Marie Struthers, drejtoreshë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në “Amnesty International”.

Pavarësisht nëse Putin do të dalë në gjyq, është e mundur që kërcënimi i ndjekjes penale ndërkombëtare mund të thuhet se ka një efekt.

“Qëllimi pas krijimit të Gjykatës është të bëjë pikërisht këtë”, tha Todd Buchwald, i cili shërbeu si koordinator i posaçëm në Zyrën e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Drejtësinë Kriminale Globale deri në vitin 2017.

Sa i përket Putin-it, edhe ai nuk mund të jetë i sigurt se nuk do të përballet me drejtësinë një ditë./ Marrë nga “POLITICO”,