Ndonëse afër të 90-ave, piktori i njohur, Hasan Nallbani nuk harron asnjë moment që ka shënjuar jetën e tij. Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai ka treguar se kur ishte i ri ka dashur të bëhej mjek, pasi ka pasur rezultate të shkëlqyera në mësime. Mirëpo, nuk i dhanë të drejtën e bursës dhe fillimisht ndoqi studimet për pedagogji.
Më pas, Nallbani zbuloi se një profesor e shtyu që të konkuronte për pikturë, ku dhe fitoi
“Unë mbarova shkollën 8-vjeçare atëherë, isha mirë me mësime, doja të bëhesha mjekë, inxhinier, por nuk pata mundësi se nuk më dhanë të drejtë studimi. Se nuk ishte kollaj ta merrje atë të drejtë, dikush e merrte, dikush jo, edhe pse mund të ishte i mirë me mësime. Edhe ç’bëra unë? U futa në shkollën pedagogjike, që ishte për të nxjerrë mësues dhe bëra një vit atje. Por ndërkohë që isha në shkollë, bëra dhe detyrat e vizatimit. Mësues ishte një piktor nga Shkodra, Vladimir Jani, një burrë i gjatë, simpatik, shumë i mirë. Edhe më thotë: ‘Po ti ç’bën këtu?’. ‘Shkollë’, i them.
-Do mbarosh këtë shkollë, do shkosh në Skrapar, do jesh andej mësues, do vuash. Ti bëhesh piktor. Do shkosh të bësh konkurs atje dhe me siguri që ti fiton, më tha.
Edhe unë ashtu bëra. Unë kam dashur të bëhem fillimisht mjek dhe kjo vinte se unë kisha rezultate të mira në mësime. Shiko, në pikturë janë futur dhe shumë mediokër, por intelekti është një faktor shumë i rëndësishëm. Sepse piktura nuk është thjesht një zanat, që ti mëson si të bësh një pikturë, ose një zanat, piktura është shumë më tepër sesa aq, është një mision që i vë vetes për të ndërtuar një histori, një program”, rrëfeu piktori
Gjatë rrëfimit të tij, në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, piktori Hasan Nallbani është ndalur te periudha kur ishte asistent pedagog dhe prisnin ta emëronin.
Në fillim i thanë të qendrojë në Berat, por ai nuk pranoi dhe kështu mes shumë propozimesh, e emëruan në Vlorë. Mirëpo, as kjo nuk miratua dhe në fund Nallbani përfundoi në Institutin e Monumenteve.
“Unë fillimisht kam ndejtur si një asistent pedagog në shkollë një vit. Nga studentët që mbaruan ishim nja 13 ne, ata vunë dorën te unë. Edhe ndejta aty një vit dhe pas një viti shkoj te drejtori i institutit unë dhe i them që ça përfundimi ka kjo punë se atëherë priteshin emërimet.
Dëgjo Hasan, ne të mbajtëm jo rastësisht. Ne menduam që do rrije këtu, por është një arsye që unë nuk e kam më në dorë. Do shkosh në Berat’, më tha.
Edhe unë shkova në Berat se atje ishte qyteti im i lindjes dhe ndejtëm ca ditë atje.
Edhe i them: ‘Në Berat nuk dua të rri, më çoni ku të doni, vetëm në Berat jo. Sepse jam në një shtëpi të vjetër me tim vëlla. Jam edhe i martuar, nuk dua të rri në Berat’.
Më thanë për në Shkodër, po nuk e miratuan se do thoshin që ka ardhur te shtëpia e gruas, te qyteti i gruas. Korçarët janë shumë ambicioz. Edhe ma lanë për në Vlorë. Unë prisja transferimin për në Vlorë, kur vjen zv. Ministri i Kulturës i asokohe dhe më thotë që nuk mund të shkosh se nuk më lënë këta të Beratit, thonë që është i joni, kemi investuar ne për atë, pse të iki, do rrish këtu. Pastaj u bë sebep Gani Strazimiri, Instituti i Monumenteve dhe më mori ai mua”, tregoi piktori./abcnews.al