Ing. Mark Zefi hedh hipoteza të forta për Blinishtin. Rrëshqitja mund të jetë provokuar nga ndonjë çarje e mundshme e tunelit të hidrocentralit turk të Qafë Mollës.

Inxhinieri me përvojë të gjatë në malet e Mirditës dhe të Pukës z. Mark Zefi hedh hipoteza mjaft në rëndësishme mbi situatën problematike të krijuar në Blinisht të Mirditës. Përveç asaj çfar është përfolur mësëshumti këto ditë, ing. Mark Zefi, resident prej vitesh në Itali, por koherent në çdo kohë me zhvillimet në zonë, thotë se rrëshqitja e malit të Blinishtit mund të ketë ardhur edhe si rezultat i ndonjë çarje të mundshme të tunelit nëntokësor që kalon shumë pranë vendit të rrëshqitjes së tokës. Është tuneli që përcjell ujin e Fanit të vogël në anën tjetër të malit, për në rezervuarin e Qafmollës. Pra sipas inxhinierit Marku, mbetet për tu hetuar fakti nëse tuneli ka pësuar çarje të kohë më parë dhe uji ka mbushur bazën e malit, çka ka provokuar rrëshqitjet. Është e ditur se jo më shumë se 500 metra mbi vendin ku është epiqendra e rrëshqitjes, uji futet në tunel pikërisht në malin i cili tashmë ka marrë tatëpjetën.

Ja edhe reagimi i potë i ing. Mark Zefi për pirustinews.com

Duke ndjekur njoftimet mbi gjëndjen dramatike të krijuar nga rrëshqitja e dherave në një vëllim me përmasa shumë të mëdha, në krahun verilindor të fshatit Blinisht në Mirditë, i cili po rrezikon ndërprerjen e qarkullimit në Rrugën e Kombit në drejtim të Kuksit e Kosovës dhe anasjelltas, normalisht duhet të përpiqemi për të konkluduar mbi prejardhjen e kësaj fatkeqsie, e cila do të ishte shqetsuese edhe një vënd me ekonomi të fuqishme.

Mund të kemi një seri faktorësh të lidhur në seri, siç mund të përmendim mungesën e veprave të artit që kërkon një formacion gjeologjik i pa qëndrueshëm. Hapja me ngut, për të qënë gojë hapur në fushatën e zgjedhjeve, e rrugës lokale në anë të autostradës, duke mos i kushtuar rëndësi rrezikut që sjellë spostimi i shpateve të malit, kur bëhen gërmime në bazën e tyre. Pa dyshim reshjet e shumta të tanishme dhe mungesa e brezave mbrojtës me drurë të njohur për stabilizimin e terreneve rrëshqitëse, siç njihet druri i akacies, kanë ndikimin e tyre të pa diskutueshëm.

Por për mendimin tim detonatori që i ka zgjuar nga gjumi këto faktorë, mund të jetë tuneli në të cilin është detyruar të kaloj lumi Fan i Vogël, për tu shkarkuar në liqenin e HEC-it të Qaf -Mollës. Gjatë shtratit të lumit, uji mundet të ketë gjetur ndonjë shteg për të qarkulluar si uji nëntoksor, në bazën e malit. Tejngopja me ujë ka krijuar shkëputjen midis masës së dherave të gjithë shpatit të malit me bazën horizontale ku uji mund të jetë shpërndarë. Në të tilla rrethana forca e gravidetit e orjenton gjith sektorin e malit të spostohet sipas pjerrësisë në zbritje. Fakti se rrëshqitja ka ndodhur në atë anë nga është tuneli, më jep shumë siguri se kjo fatkeqsi nuk është produkt i natyrës, por pasojë e punës euforike e të pa studiuar, të realizuar nga dora e njeriut.

Por shtoj se, në mos faktor themelor, shkak që ka prishur raportet e qëndrueshmërisë së formacionit ku po vazhdon rrëshqitja, ndjehem shumë i sigurtë se është influenca ujit që përshkon tunelin. Ndoshta është izoluar posaçërisht, e atëherë vetëm për ndonjë difekt në zbatimin e projektit mund të jetë hapur ndonje e çarë dhe ka devijuar uji, duke u shpërndarë ngadalë sipas proçesit të difuzionit.

Veritas.com.al/