Adriatik Doci 

Presidenti i ri i Republikës Barjam Begaj nuk do të japë më shumë se sa 23 dekorata në vit pa miratimin e një organi të ri kompetent, që do të jetë Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve. Kështu parashikon projekti për ligjin e ri për dekoratat në Shqipëri. Nisma ligjore është hartuar nga qeveria pas një historie të paprecedentë abuzimi me dekoratat nga Presidenti në detyrë Ilir Meta, i cili nuk ka lënë pa dekoruar as restorantet e mishit dhe qofteret me titullin ‘Mjeshtër i Madh’.

Gjatë mandatit 5-vjeçar si President, Ilir Meta ka dhënë rreth 700 dekorata, mbi dyfishin e pasardhësve të tij, duke nderuar nga personazhe të dyshimtë deri tek restorantet me mish gici. Në këto rrethana, qeveria ka vendosur që të kufizojë me ligj numrin e dekoratave që do të jepen nga Presidenti i Republikës brenda një viti. Konkretisht, Presidenti nuk mund dekorojë çdo vit pa propozim paraprak të autoriteteve përkatëse, më shumë se sa 10 % të numrit të përgjithshëm të dekoratave të të gjitha kategorive që mund të jepen brenda vitit.

Numri maksimal i dekoratave të të gjitha llojeve që mund të jepen brenda një viti nga të gjitha autoritetet është rreth 230. Presidenti mund të japë deri në 23 dekorata në vit, në një kohë kur presidenti aktual Ilir Meta ka dhënë rreth 150 në vit. Dekoratat që do të japë presidenti mbi këtë numër, kushtëzohen me dhënien e miratimit nga Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila do të ngrihet me urdhër të kryeministrit.

Ndërkaq, në ligjin e ri janë parashikuar edhe kushtet kur një personi të dekoruar mund t’i hiqet dekorata. Dekorata parashikohet të hiqet në dy rrethana; kur mbajtësi i dekoratës dënohet me vendim gjykate të formës së prerë dhe kur shpallet person i padëshiruar në Shqipëri, pra për shtetasit e huaj. Dekoratat në Shqipëri jepen me dekret të presidentit, me urdhër të kryeministrit, me urdhër të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Mbrojtjes.

Llojet e dekoratave

1. Urdhri Suprem i Shqiponjës;
2. Urdhri i Skënderbeut;
3. Urdhri i Lisit Akademik;
4. Medalja e Meritës Ushtarake;
5. Medalja e Meritës Civile;
6. Medalja Nënë Tereza;
7. Medalja Pishtar i Demokracisë;
8. Medalja e Mirënjohjes Publike;
9. Medaljet përkujtimore ushtarake dhe civile;
10. Medalja e Shërbimit Ushtarak.
11. Medalja e Shërbimit të Rendit Publik.