Rusia e shikon vendosjen e trupave dhe forcave ushtarake të NATO-s në shtetet Balltike, Poloni dhe Gjermani si një kërcënim, ka raportuar këtë të Enjte agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë.
RIA ka cituar zëvendës ministrin Rus të Punëve të Jashtme, Alexei Meshkov kur tha se Moska po vëzhgon çdo gjë me kujdes dhe do të sigurohet që mbrojtja e saj të jetë e garantuar.
“Vendosja e trupave patjetër që është kërcënim i hapur për ne,” citon RIA fjalët e Meshkov. “E kush e tha që kjo do të përfundonte me kaq? Ne nuk kemi informacione të tilla. Për herë të parë që pas Luftës së Dytë botërore po shohim ushtarë gjerman të qëndrojnë në kufijtë tanë.”
Komentet e Meshkov-it vlejnë edhe për SHBA që gjithashtu ka vendosur mijëra ushtarakë në vijën kufitare të Polonisë, shteteve Baltike dhe Evropës juglindore, numri më i madh i ushtarëve që prej kohës së Luftës së Ftohtë.
Trupat Gjermane janë vendosur me qëllim për të fuqizuar Lituaninë këtë muaj, pjesë kjo e planit të NATO-s, plan ky i hartuar për të mbrojtur shtetet Evropiane pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014.
Më herët këtë të enjte, Rusia tha se e shihte Rumaninë si një vend që e kapërceu kufirin me forcat ushtarake për NATO-n dhe si një kërcënim për shkak se vullnetarisht ka pranuar depozitimin e mburojave anti-raketore nga SHBA.
/Veritas.com.al/