Thonë se vetëm Vettingu të jep të drejtë… Jo. Ledina Mandija kaloi gjyq pas gjyqi pse qeveria e shkarkoi nga detyra; por nuk do të fitonte kurrë edhe sikur njëmijë vettinge të bëhen.
Një ditë, si me ‘qilimin fluturues’ ish- Avokate e Shtetit u punësua si nënkryeministre në qeverinë e ‘mallkuar’ prej saj.
Ledina Mandija do të jetë zv/kryeministrja e vendit të paktën deri në muajin shtator kur është edhe afati i krijimit të qeverisë së re. Ajo do të jetë drejtuesja e “Task Force” për monitorimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të 25 qershorit dhe do të ulet në krah të Edi Ramës në mbledhjet e qeverisë.
Qeveria teknike do të votohet në seancën e sotme parlamentare.
43-vjeçarja është një “njohje e vjetër” e kreut të ekzekutivit për shkak se ai e ka shkarkuar atë, menjëherë pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013.
Ledina Mandija ka mbajtur detyrën e Avokatit të Shtetit nga viti 2007 deri më 7 tetor 2013, kur kryeministri Edi Rama ka firmosur largimin nga detyra. Ledina Mandija ka doktoraturë në Juridik në Universitetin e Tiranës dhe të Gracit, Austri. Ajo e ka çuar çështjen në Gjykatën Administrative, ku ka kërkuar rikthimin në detyrë dhe dëmshpërblimin me paga për kohën që ka qenë pa punë.
Padia e Mandijës ka kaluar në një kalvar të gjatë dhe ka përfunduar edhe në Gjykatën e Lartë.
Avokatura e Shtetit (e qeverisë Rama) kishte kërkuar nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, pra që Administrativja të mos e shqyrtonte padinë e të shkarkuarës. Në shkallën e parë ka fituar Mandija dhe padia e shtetit është rrëzuar. Në shkallën e dytë, Administrativja e Apelit e ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë duke pranuar ankesën e Avokaturës së Shtetit kundër Mandijës. Kështu, çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë ku Ledina Mandija e ka fituar përballjen proceduriale me Edi Ramën. Në këtë pikë, çështja është kthyer sërish në Administrative.
Mandija u bë e njohur për publikun kur u thirr si dëshmitare në Komisionin Hetimor për CEZ. Mandija ka filluar punë në Avokaturën e Shtetit si Avokate e Shtetit më 6 prill të vitit 2007, në pozicionin e Avokates së Shtetit për Arbitrazhin Ndërkombëtar. Në janar të vitit 2010 është emëruar nga kryeministri Berisha në pozicionin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Në datën 7 tetor të vitit 2013, me urdhrin e Edi Ramës është liruar nga detyra e Avokates së Përgjithshme të Shtetit.
Veritas.com.al/