Këto ditë pritet që Ministri i Brendshem, Saimir Tahiri të merret në pyetje në prokurori për sulmet ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, raporton Abcnews.
Bëhet fjalë për konferencat për shtyp që Tahiri zhvilloi pas pezullimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Prokurorët sekuestruan pamjet e konferencave për shtyp, kur Tahiri sulmoi gjyqtarin që firmosi vendimin për pezullimin e Haki Çakos.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkoi ndjekje penale për Saimir Tahirin, me akuzën e kanosjes për shkak të detyrës ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Kjo nuk është hera e parë që Saimir Tahiri merret në pyetje në prokurori. Pak kohë më parë ai u thirr të dëshmojë për takimin me Durim Bamin, të cilin Tom Doshi ia kishte prezantuar si vrasës me pagesë.