Një ngjarje e rëndë që i ngjan një atentati ka tronditur Sarandën, ku është rrafshuar me lëndë plasëse një prej hoteleve më të vjetra në shëtitoren e qytetit. Bëhet fjalë për hotel ‘Bizanti’, i ndërtuar në 1996 që ka 2 ortakë, Spiro Çabirin dhe Dhimitër Evangjeliu që janë në proces gjyqësor me njëri-tjetrin për pronësinë që prej vitit 2002. Një ekspert ka folur për gazetarin e Report Tv, Limos Didani duke zbuluar se hotelit i ishte vënë 30 kg dinamit. Anëtarët e 2 familjeve janë shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshmitë e tyre në lidhje me ngjarjen.

Report Tv ka siguruar pamjet ekskluzive të momentit të shpërthimit të hotelit që mbuloi të gjithë zonën me tym të zi. Shpërthimi i fuqishëm ka shkaktuar terror për banorët rreth orës 05:55 të mëngjesit pasi janë zgjuar të tronditur nga zhurma e fortë. Ata thonë se ngjante si “akt terrorist” që i ka shokuar të gjithë. Një banore u shpreh se tronditja ishte aq e fortë sa iu duk si tërmet.

Për pasojë, shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha në fasadat e dhjetëra bizneseve dhe qindra banesave përreth deri në 300 metra largësi.  Nga pamjet e siguruara nga Report Tv duken edhe copat e xhamit dhe mbetjet e betonit që kanë përfunduar në rrugë por edhe apartamentet në pallatin pranë kanë pësuar shumë dëme. Hoteli ndodhej në vijën e parë të bregut të detit dhe ishte ndërtuar prej vitit 1996. Duke qenë se biznesi ishte funksional vetëm kur kishte fluks turistik gjatë muajve të verës, nuk raportohet për të lënduar.

Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve. Menjëherë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.