Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë është në nivel shumë më të ulët në krahasim me shtetet të tjera të rajonit. Edhe përkundër takimeve të qeverive, ka ende barriera për bizneset Kosovë-Shqipëri- sipas agjencisë së lajmeve KosovaPress.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e eksporteve të mallrave të Kosovës në Shqipëri për tre vitet e fundit ka qenë rreth 30 milionë euro. Ndërsa, i mallrave nga Shqipëria për tre vite, sillet rreth 120 milionë euro. Shqipërinë e kemi vendin ku dërgojmë më së shumti produkte, por Serbia përveç që dominon në tregun tonë, ajo edhe e pengon Kosovën në realizimin e marrëveshjeve ekonomike që ka arrit Kosova me Shqipërinë.
Ndërsa, importi i mallrave nga Serbia është dhjetëra fish më i lartë se ai me Shqipërinë. Serbia vitin që lamë pas, ka thyer rekord me importin e mallrave në Kosovë, duke arritur në 400 milionë euro. Marrëveshja e nënshkruar nga dy qeveritë për ndërtimin e përbashkët të energjisë vazhdon të pengohet. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Po ashtu, edhe ligjvënësit thonë se marrëveshjet mes dy vendeve nuk po zbatohen në praktikë.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Satvileci ka treguar se importi i mallrave të Serbisë në Kosovë në vitin 2016, ka thyer rekord, duke arritur shifrën 400 milionë euro. Nëse krahasohen të dhënat me importin e mallrave nga Shqipëria, janë tre fish më të vogla me rreth 100 milionë euro.
Sipas tij, Kosova në Serbi eksporton mallra në vlera shumë të vogla në krahasim me importin e mallrave serbe. Ai po ashtu ka thënë se top vendet ku kemi importin më të madh janë Serbia, Gjermania, Kina, Turqia, Italia, Maqedonia dhe në fund- Shqipëria.
Blerim Grainca, anëtarë i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, tha se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve Kosovë-Shqipëri ka një disbalancë të madhe mes eksportit dhe importit. Edhe Rrustem Berisha, anëtar i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, ka thënë se ka ngecje në zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve. Ai vlerëson që më mirë do të ishte që shkëmbimi i mallrave tregtarë të Serbisë të orientohen kah Shqipëria.
Besim Beqaj, anëtar i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, thotë për KosovaPress se këto dy vitet e fundit ka pasur efekte pozitive në marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë por që efekti do të duhej të ishte më i madh.
/Veritas.com.al/