Një nga të përditshmet më të mëdha në vend, gazeta e Koço Kokëdhimës çdo ditë e më shumë pozicionohet hapur kundër kryeministrit Rama dhe planit të tij për të kapur sistemin e drejtësisë edhe me ndihmën e disa segmenteve brenda ndërkombëtarëve. Në numrin e sotëm, në funksion të kësaj kjo gazetë ka ndryshuar edhe faqen e parë të sajë tradicionale (gjë që bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme) duke ja kushtuar rrezikut të humbjes së sovranitetit të vendit.
Më shumë se gjysma e hapësirës së ballinës së kësaj gazete i është rezervuar një shkrimi të juristit të njohur Agron Alibali me banim në Shtetet e Bashkuara. Titulli i madh, “Fundi i palavdishëm i Republikës së Katërt”, shoqërohet me një foto të madhe të Ismail Qemalit, të cilit i është hequr kryq i kuq. Bëhet fjalë për rrezikun që i kanoset pavarësisë së Republikës, nëse Reformë në Drejtësi kalon nesër, sipas draftit aktual. Ja çfarë shkruan juristi Alibali për këtë çështje:
“Një parlament të cilit i kanë mbetur jo më shumë se 300 ditë jetë nuk mund të marrë vendime me rëndësi thelbësore dhe afatgjata për shtetin dhe kombin. E ashtuquajtura reformë e gjyqësorit përbën goditjen përfundimtare ndaj Republikës së Katërt. Data 21 korrik 2016, e imponuar jashtë çdo rregulli e procedure kushtetuese e parlamentare, shënon fundin e palavdishëm të saj. Për ta thënë troç, shqiptarët mbështesin në përgjithësi reformën në sistemin e drejtësisë, por ata nuk mund të mbështesin paketën aktuale të së ashtuquajturës reformë në drejtësi dhe strukturën bizantine të projektuar prej saj.
Së pari, reformës i ka munguar vizioni dhe vullneti politik konsensual. Ekspertët, edhe pse të respektuar, nuk mundet kurrsesi të imponohen mbi vullnetin e popullit, të përçuar nga përfaqësuesit e tij.
Së dyti, reforma nuk mund të çmontojë, me një të rënë të lapsit, themelet kushtetuese të shtetit shqiptar, ku spikasin “mëvetësia” dhe konsensusi për çështje madhore.
Së treti, kjo reformë bie ndesh edhe me proceset demokratike europiane, ku prirja e përgjithshme është që popujt e Europës së Bashkuar të kenë më shumë hapësira vendimmarrjeje në çështje që lidhen drejtpërdrejtë me ta. Në këtë kuadër, nuk ka kuptim që Komisioni Europian të marrë përsipër në Shqipëri angazhime që nuk i takojnë.
Në vend të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përse të mos e bëjnë vetë qytetarët e vendit procesin e kontrollit, konfirmimit dhe zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve?
Së katërti, Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka vepruar përtej kompetencave të veta, pasi nuk është formuar dhe nuk ka tagër për të rishikuar Kushtetutën. Së fundi, deputetët shqiptarë nuk mund të parashtrojnë në Kushtetutën e Shqipërisë angazhime që u takojnë taksapaguesve të BE-së dhe parlamenteve përkatëse, të cilat mund të lidhen vetëm me traktat ndërkombëtar”.
Pas argumentimit të mësipërm, se përse kjo reformë është e nxituar dhe “e qepur” keq në shumë drejtime, Alibali jep edhe versionin e tij sesi mund të zgjidhet njëherë e përgjithmonë ky ngërç. Ai propozon shtyrjen e reformës dhe krijimin e një Asambleje Kushtetuese e cila do ti japë një zgjidhje afatgjatë dhe historike, jo vetëm Reformës në Drejtësi.
“Shqyrtimi i projektit duhet shtyrë. Vendi ka nevojë për reflektim, dhe jo ngutje. Deputetëve nuk u del koha as ta lexojnë materialin voluminoz, dhe jo më ta debatojnë e ta miratojnë. Ndofta periudhën e verës ata mund ta shfrytëzojnë për të vjelë mendimin e popullit në zonat përkatëse. Justifikimet se 21 korriku përbën kusht të domosdoshëm për hapjen e negociatave nuk qëndron. Përndryshe, më mirë të shtyhet hapja e negociatave, se sa të miratohet një produkt që nuk vlen. Koha ndoshta kërkon thirrjen e Kuvendit Kushtetues, sipas traditës e përvojës më të mirë shqiptare në kthesat historike të vendit: në Kuvendin e Vlorës më 1912, Kongresin e Lushnjës më 1920, apo me Asambletë Kushtetuese të mbledhura më 1923, 1926, 1928, dhe më 1991-1992.
Asambleja Kushtetuese e vitit 2016 mund të mblidhet për të vendosur për Kushtetutën, reformën në Drejtësi dhe për orientimin e ri të kombit në rrethanat historike që kalon vendi dhe kontinenti. Pjesëtarë të saj mund të jenë të gjithë kryetarët e shtetit, të Kuvendit, Kryeministrat, Kryetarët e Akademisë së Shkencave, Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë që nga viti 1992 e deri më sot që janë gjallë. Ata mund të mblidhen diku jashtë Tiranës, jo për shfaqje mediatike, por për punë, pra pa praninë e gazetarëve apo të ambasadorëve. Përndryshe vetëm Asambleja Kushtetuese, dhe mandej popullit me referendum, kanë tagrin të vendosin nëse vendi duhet të ecë përpara, apo duhet të kthehet 100 vjet as si në kohën e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.”, e mbyll shkrimin e tij interesant juristi Agron Alibali.
Por “faqja e parë” e gazetës Shekulli, nuk mbaron punë këtu me atë që po ndodh me Reformën në Drejtësi. Shkrimi i dytë më i rëndësishëm godet hapur ambasadorin e SHBA, Donald Lu. Titulli tregon më shumë se vetë shkrimi; “E pa precedent! Një ambasador proteston kundër deputetëve”. Ja çfarë shkruan “Shekulli”:
“Prej dy ditësh një grup qytetarësh kanë protestuar para kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar që të votohet reforma në drejtësi. Mediatikisht kjo ngjarje u fry edhe më shumë, ku theksohej me forcë se kjo ishte një protestë e shoqërisë civile. Kanë mjaftuar dy-tre pamje të grupit që ngjeshej sa më shumë para objektivit të kamerave dhe aparatit fotografik, dhe kuptohej se personat që e prezantonin veten si pjesë e shoqërisë civile, janë anëtarë të Partisë Socialiste…Në mes të këtyre ambasadori Lu bëri një deklaratë “kërcënuese” për deputetët shqiptarë, që nuk do të votonin reformën. Deklarata e ambasadorit është bërë jashtë çdo formati të parë deri më sot”