“Kënga Magjike”, bashkë me atmosferën festive dhe listën prej 20 fituesish, ka shënuar gjithashtu një incident të rëndë, ngjarje e cila mendohet se erdhi pikërisht nga formula e votimeve që përball publikisht artistët konkurentë. Në përfundim të shpalljes së pikëve, Flori Mumajesi ka lënë Pallatin e Kongreseve, por nga pas e ka ndjekur Stine i cili pas një konflikti verbal, e goditi kantautorin me një send të fortë në fytyrë që sipas burimeve të policisë u tha se ishte një gotë.

Aty për aty ndërhyri kantautori tjetër Altin Goci dhe një person i rastësishëm, që shmangu Stinen nga Flori, ndërsa ky i fundit, i gjakosur, u ndje keq dhe me vështirësi u drejtua për të dalë në rrugën buzë stadiumit “Qemal Stafa”. Më pas, në vendngjarje, në parkingun e Pallatit të Kongreseve, erdhi Stresi i cili nuk ishte prezent në kohën kur bashkëpunëtori dhe miku i tij Flori, u sulmua nga Stine. Me të parë situatën, Stresi u nis në kërkim të Stines i cili u drejtua për nga “COIN”, ndërsa Flori u largua për në spital me një makinë private drejtuar nga një mik i tij.

Burime të afërta për lapsi.al, thanë se Flori ka pësuar një çarje në ballë e cila është qepur, ndërsa po ashtu, kantautori ka denoncuar ngjarjen tek forcat blu që shërbejnë në urgjencën e Spitalit të Traumës, të cilët duket se janë vënë në lëvizje. Sipas njoftimeve të Policisë, 34-vjeçari Nesti Duka është shpallur në kërkim. Ai akuzohet për “plagosje të lehtë me dashje”.