Aktivistja e njohur Ajtanga Lubonja i është drejtuar me një letër autoriteteve më të larta shtetërore duke filluar nga  Presidentit të Republikës, Kryeministri dhe ambasadori amerikan në Tiranë me një thirrje për ndihmë. Ajo shkruan se prej 25 vitesh jeton në një dhomë konvikti, në kushte skandaloze, në pritje të kompensimit si ish e përndjekur politike dhe në pritje të një pensioni special.

 

“Unë po vdes në një dhomë të mjerë konvikti, ku jetoj prej 25 vitesh e sëmurë dhe nuk kam mundësi kurimi…se ne na japin ilaçe të skaduara që të pasurohen politikanet tanë! Jetoj me nje PENSION MINIMAL, kërkova “PENSION SPECIAL” sepse i kam shërbyer vendit tim sa ta meritoj këtë pension”- shkruan ajo.

 

Më poshtë letra e plotë e aktivistes së njohur…

 

Z.Bujar Nishani, President i Republikës të Shqipërise

Zotit Edi Rama, Kryeministër i Republikës të Shqipërisë

Z.Donald Lu, Ambasador i SHBA në Republikës e Shqipërisë

 

Tiranë, 6.07. 2016

Jam Ajtanga Lubonja, qytetare e Republikës të Shqipërisë, 68 vjeç, banuese ne Tirane, e Persekutuar Politike, e dënuar me damkën e egër si “Armike e Popullit”!

Të nderuar Zotërinj,

Për funksionet qe mbani, jeni shpresa e çdo qytetari!

Duke provuar te gjitha rrugët ligjore, duke trokitur ne çdo institucion qe presupozohet te zgjidh problemet e popullit dhe duke mos marre asnje zgjidhje…

vendosa t’Ju drejtohem!

Trajtimi i të Persekutuarëve Politikë dihet botërisht se ne çfarë përmasa shnjerezore është trajtuar dhe vazhdon te trajtohet!

 

Kam 25 vjet qe vetëm pres!

 

Sot jam e lenë në harresë nga shteti im në një kohë kur ngrihen në piedestal KRIMINELË, HAJDUTË, OLIGARKË!

Vuajtjet dhe ulërimën e popullit nuk e dëgjon askush!

Vjedhja, korrupsioni na kanë mbuluar…

boll me spektakle sikur po luftoni për POPULLIN!

 

Diçka njerëzore ju kam kërkuar…atë që më takon “Rehabilitimin dhe kompensimin e të Persekutuarit” për vuajtjet që kemi hequr që edhe kur t’i zhdëmtoni 100 % nuk zhdëmtohen dot kurrë!

Prindërit më vdiqën me buzë të plasur e në varfëri (vetëm një këst mori babai i shkretë dhe vdiq)!

Nëna ime e bija e Et’hem Totos, burrë shteti, patriot e Ministër i Brendshëm në vitet 1935-36, vdiq po ashtu,

ne bijtë po plakemi në varfëri të plotë,

unë po vdes në një dhomë të mjerë konvikti, ku jetoj prej 25 vitesh e sëmurë dhe nuk kam mundësi kurimi…se ne na japin ilaçe të skaduara që të pasurohen politikanet tanë!

Jetoj me një PENSION MINIMAL,

kërkova “PENSION SPECIAL” sepse i kam shërbyer vendit tim sa ta meritoj këtë pension!

Emri i familjes LUBONJA e thotë;

emri i Familjes TOTO e thotë!

 

Kam qenë në ballë të lëvizjes për Demokraci, kam marrë pjesë në Nisma ku jam dënuar me vdekje; isha pjesë e Lëvizjes për rrëzimin e Fullanit! Por Fullani po zhdëmtohet, po kërkon miliona, ndërsa unë vazhdoj të jem “Armike e Popullit”, sepse pensionet speciale dhe privilegjet vazhdojnë  t’u jepen komunistëve, spiunëve, lakenjve!

 

Ju kërkon ndihmë!

Ndihmoni!

 

Me respekt

Ajtanga Lubonja