Mëngjesin e kësaj të marte, rreth orës 03:00 një shpërthim me tritol u regjistrua në banesën e Muhamed Dukës, të atit të Leonard dhe Elis Dukës, të njohur për armiqesine e tyre me të shumëkërkuarin Ervis Martinaj dhe për përfshirjen në botën e krimit. Lënda plasëse ishte vendosur në katin e katërt, në derën e banesës së 65-vjeçarit në zonën e Freskut, në afërsi të Institutit të Fizikës Bërthamore. Nga shpërthimi, nuk raporton për të lënduar.
Muhamed Duka nuk jetonte në atë banesë që prej 4 vitesh, pra shtëpia ka qenë bosh gjatë shpërthimit, megjithatë ai ja kishte lënë dikujt për ta mbikqyrur, i cili në atë moment nuk ndodhej në banesë. ‘Blutë’ e Tiranës janë duke kërkuar për ta marrë në pyetje përgjegjësin që kishte lënë 65-vjeçari për t’i ruajtur banesën në zonën e ‘Freskut’. Janë pyetur vetëm banorë të pallatit dhe fqinjë, por asnjë nuk ka dhënë dëshmi të vlefshme pasi kanë deklaruar se kanë qenë në gjumë dhe kanë dëgjuar vetëm shpërthimin e fuqishëm. Policia, përveç pistës së një paralajmërimi, dyshon se ngjarja mund të jetë edhe e stisur, nisur kjo nga arrestimi i Leonard Dukës në Belgjikë pak javë më parë dhe si një përpjekje për të mos u ekstraduar mund të jetë përdorur kjo taktikë.
Leonard Duka njihet si rivali më i madh i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Më 14 shkurt të këtij viti, u arrestua nga autoritetet belge në Bruksel pasi iu gjend armë zjarri në banesë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Duka akuzohet se ka gisht në vrasjen e Santiago Malkos, i vrarë më 27 gusht 2019, mik i afërt i të zhdukurit Ervis Martinaj.
“Më datë 18.04.2023, reth orës 03:00, te Fresku, në afërsi të Insitutit të Fizikës Bërthamore, në katin e katërt të një pallati, në derën e banesës së shtetasit M. D., 65 vjeç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse”, njofton policia.
Një çift bashkëshortësh pensionistë të cilët e kanë shtëpinë ngjitur me banesën e Muhamed Dukës ku ndodhi shpërthimi janë prononcuar për mediat. Ata shprehen se shpërthimi ishte aq i madh sa fillimisht kujtuan se ishte tërmet, por më pas banesa e tyre u mbush nga tymi. I moshuari u shpreh se pati dëmtime nga njëri vesh dhe se dëmet janë të shumta dhe se të dy nuk kanë mundësi t’i rikuperojnë.