Shqipëria për herë të parë këtë vit u bë pjesë e Bienales së Arkitekturës Ballkanike. Në eventin e mbajtur në Beograd vendi ynë u përfaqësua nga disa profesionistë, ndër ta edhe arkitekti Maks Kola.
Këtë dhjetor për të parën herë Shqipëria u bë pjesë e Bienales së Arkitekturës Ballkanike që u mbajt në Beograd.
Në edicionin e katërt morën pjesë arkitektë nga të paktën 10 shtete të Ballkanit.
Vendi ynë u përfaqësua nga disa studio e profesionistë, ndër ta edhe Maks Kola, arkitekt, urbanist dhe pedagog.
“Ishte hera e parë që Shqipëria mori pjesë në këtë bienale në Beograd, i cili ishte vendi organizator. Për ato ishte edicioni i katërt, ndërsa për Shqipërinë ishte edicioni i parë ku u përfaqësua nga disa studio.”
Kola zgjodhi të shkojë në Serbi me një pjesë të Shqipërisë me vete. Ai u prezantua me një projekt me motive historike. Elementi qendror i objektit, që është stilizuar ne fasadën kryesore, është Obelisku i Besëlidhjes së Lezhës së 2 Marsit 1444.
“Mora pjesë me një projekt që kam bërë në hapësirën mes Lezhës dhe Shëngjinit. Kam marrë një element që ekziston sot në qytetin e Lezhës, siç është Obelisku i Besëlidhjes së Lezhës ku të gjithë e njohin që simbolizon bashkimin tonë kombëtar.”
Përzgjedhja e një projekti të tillë nuk ishte rastësi. Kola thotë se përmes punës së tij dëshiron të kontribuojë në forcimin e ndërgjegjes kombëtare.
“Shqipëria ishte për herë të parë dhe unë doja të prezantohej me një objekt sa më serioz dhe sa më përfaqësues për Shqipërinë. “
Bienales së Arkitekturës edhe këtë vit i mungoi Kosova. Maks Kola thotë:
“Shpresoj që pas dy viteve, kur të jetë përsëri Bienalja e pestë do doja që të merrte pjesë edhe Kosova.”
Bienalia e Arkitekturës Ballkanike që organizohet nga Serbia mbahet çdo dy vjet në Beograd.