Komiteti Ndërqeveritar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale i mbledhur në Botsvana në Konferencën XVIII, votoi përfshirjen e Transumancës (shtegëtimit të bagëtive), në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Shqipëria kandidonte në një dosje të përbashkët me Spanjën, Andorrën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun dhe Rumaninë, duke iu bashkuar Austrisë, Greqisë dhe Italisë, që ishin përshirë më herët, në vitin 2019 me këtë dukuri.
Transumanca është një traditë e lashtë që ka kapërcyer shekujt dhe shtetet; një mënyrë jetese e pasur me këngë pastorale, instrumente, veshje dhe kulinari; një paradë ritesh e festash, lidhur me ndërrimin e stinëve, përgjatë të cilave ndodh ky migrim, që tashmë vihen në mbrojtjen e UNESCO-s, si shprehje e shpirtit të bartësve të kësaj tradite.
“Shqipëria ka një pasuri më shumë në listën botërore, që do të thotë përgjegjësi e shtuar, por edhe më shumë mbështetje financiare për komunitetet lokale që e trashëgojnë këtë traditë, projekte të përbashkëta me shtetet që ndajmë këtë dukuri, por edhe një ftesë për të investuar më shumë në turizmin kulturor. Le të jetë ky një ogur i mirë edhe për kandidimin e dosjeve të tjera në UNESCO,” shprehet ministrja e Kulturës Elva Margariti
Kjo dosje u hartua nga Ministria e Kulturës me mbështetjen financiare të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Ekspertët që hartuan dosjen janë:
Esmeralda Lici, ekspert/koordinator për Jugun e Shqipërisë
Zef Gjeta, ekspert/koordinator për Veriun e Shqipërisë
Suzanne Ogge, ekspert i UNESCO-s
Meri Kumbe, ekspert i UNSCO-s
Bendis Pustina (Ministria e Kulturës)
Sokol Muça (Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore)
Niko Kotherja (Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Tradicionale)
Një vit më parë, UNESCO pranoi në Listën e Trashëgimisë Jomateriale në rrezik dijebërjen e xhubletës, ndërsa është për shqyrtim për vitin e ardhshëm dosja e Kcimit të Tropojës.