Nga: Abc News/

Vila njëkatëshe në pronësi të Aurel Hoxhallarit, dyshohet se është përdorur edhe si ambient për të torturuar e shantazhuar shumë persona me qëllim vjeljen e gjobave.

Brenda banesës u gjeten shumë armë të kalibrave të ndryshme, ku policia dyshon se mund të jenë përdorur në disa ngjarje të rënda kriminale të pazbardhura në vend.

Banesa e Aurel Hoxhallarit, personi i akuzuar nga policia se ka organizuar dhe porositur vrasjen e Devi Kasmit, vijon të qëndrojë e rrethuar si skenë krimi nga uniformat blu.

Brenda vilës luksoze, e cila ndodhet në Kodër Mëzes u gjetën arsenal i vërtetë armësh, si snajperë, automatikë, pistoleta, mina me telekomandë e deri te raketahedhës.

Këto armë theksojnë burime nga policia e kryeqyteti, dyshohen se mund të jenë përdorur edhe në disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në vend gjatë dy viteve të fundit.

Grupi hetimor ka dërguar për këqyrje balistike pranë laboratorit të policisë shkencore për të ekzaminuar nëse ato armë përputhen me krimet e pazbardhura të ndodhura në Tiranë, Vlorë, Durrës apo edhe në Shkodër.

Pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë të cilat ishin vendosur në të gjithë perimetrin e vilës njëkatëshe, ekspertët kanë mbledhur të gjithë shenjat e gishtërinjve të personave që kanë qëndruar në banesë.

Dyshimet janë se në ambientet e brendshme të saj, banda kriminale e drejtuar nga Aurel Hoxhallari, i cili ndodhet në arrati kanë torturuar e shantazhuar disa persona me qëllim  për të përvetësuar para.

Këto shtetas nuk kanë bërë kallëzim në polici nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme të bandës kriminle, e cili kishte si pjesëtarë edhe personat e arrestuar si Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallari.

Veritas.com.al/