Frrok Çupi

Që në fillim përdora pjesëzën frazore ‘ku shkojshin’.

Është e tëra në versionin gegnisht. Madje e pamundur që të tëhollohet në versione të tjerë. E bëra me qëllim: Që këta që iu sulën zonjës Koçeku të më sulen edhe mua për të njëjtën arsye.

Arsyeja pse iu sulën vajzës prej Dukagjini, ishte arsye prej druri. Një copë dru e marrë prej drunjëve të vjetër e të shtrembër që i shikojnë nëndialektet e gjuhës sonë të mahnitshme, deri emocionuese, si pengesa mes nesh. Ose edhe më keq e quajnë gjuhën e ndarë në nëndialekte: Si thikë që i ndan krahinat, zabelet, lumenjtë, bukuritë e natyrës, shkollat, dhëndrit dhe nuset.

Të gjithë jemi të lidhur ngushtë me anë të kësaj gjuhe të bekuar.

Më e vërteta pse këta burra u ‘tranden’ (prapë gegnisht) nga e foljma e Marjanës në Kuvend (prapë gegnisht trajta ‘e foljma’), është se i bezdis gegnishtja. Këta burra u shtirën si politikanë, si gjuhëtarë, si filologë, si gazetarë… Madje njëri prej tyre tha në një intervistë se ‘nuk e kuptoj këtë dialekt’.

Në rregull, ti nuk e kupton.

Po e nisim që këtej. Gjuha është si lartësia, jo e lehtë. Nëse ti nuk e ngjit dot malin që ndodhet para teje, kush ta ka fajin pse bie. Të gjithë e shikojnë dhe dinë ta ngjisin.

Po për dialektin geg: Nuk e kupton? Mësoje. Nuk do ta mësosh? Në rregull; kush të detyron? Veçse mbetesh i cunguar. I cunguar si dikush tjetër nga ‘gegët’ që refuzon të mësojë nëndialektin, po kaq brilant, të toskërishtes.

Se kjo vajzë ka për qëllim të rrëzojë gjuhën standarde shqipe… Kështu u kuptua. A thua, e bën gjithë këtë vepër kjo vajzë e brishtë?!

“Se gjuha standarde është fitore e madhe…, se Kongresi i Drejtshkrimit”! thërritën disa të tjerë. Marjana e bëri gjithë këtë hata, e rrëzoi kështjellën e  gjuhës standarde!? Gjuhën standarde e  duam dhe e respektojmë të gjithë.

Po si të bëjmë me dialektet? Dialektet janë lumenjtë që e ushqejnë detin e gjuhës së Kongresit të vitit 1972. Këta që acarohen me gegnishten do të duan ta presin këtë degë. Atëherë bie gjuha jonë. Nesër mund të dalë një tjetër i fiksuar që të kërkojë të shterojë lumi i dialektit toskë!…

Atëherë do t’u shtrijmë dorën të marrëve.

Se nuk duhet folur gegnisht në Parlament (!). Burrat më të tronditur ishin këta që u nxehen për punën e Parlamentit. E di? Në Parlament ka kohë që ka bjerrë gjuha dhe komunikimi. Mu në atë sallë, sot e kësaj dite, dikush flet gjysmë greqisht e gjysmë shqip. Dikush i ardhur nga fshatrat e Korçës kërkon llogari ‘po ce o të humbur e bëtë kështu!?’. Prej vitesh, dy a tre deputetë po sjellin jo vetëm fjalorin por edhe trangujt dhe preshtë e Lushnjës. Pak vite më parë fotoreporterët paparacë gjuanin foto të deputetëve me gishta në hundë duke bërë saçme. Por këta flasin gjuhën standarde (!)

Aq më keq gjuha në media, për të qarë me llahinga- siç thotë dialekti tironc.

Marjana Koceku është deputete e zgjedhur në Dukagjin. E vetmja përfaqësuese në Kuvend e Dukagjinit, që nga viti 1991. Ajo flet që ta marrin vesh fshatarët e saj. Specat e Lushnjës i sjell dikush tjetër.

Dhe kulmi:

Një ‘studiues’ i madh i gjuhës doli e tha se ‘ka tre gegnishte’.

Hajde idiot, hajde!. Pastaj tha se ka një ‘gjuhë gegnishte kosovare, një shkodrane dhe një ku di unë- tha- një e tretë këndej nga Shkumbini”.

Po sulmonte Marjanën.

Këtë e thotë jo vetëm një injorant, por edhe një njeri i lig. Këtij i nxeh kokën dialekti geg dhe prandaj i sulet gjithë unitetit kombëtar. E bën Kosovën ‘gjuhë dhe komb më vete’, siç as armiqtë e huaj më të këqij nuk e bëjnë. S’e bëjnë sepse është edhe budallallëk

… Si ranë këta burra këtu?!

 

 

 

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *