Më ke mësuar t’i fal njerëzit kur ata gabojnë, të ringrihem edhe kur nuk ka më asnjë shpresë, tani po shkon në një botë më të mirë’.  Nipi i studiuesit Nasho Jorgaqit, jep kështu lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e skenaristit të njohur, pasditen kësaj të enjteje në moshën 90-vjeçare, autor i një sërë veprash të njohura si “Dashuria e Mimozës”, “Mërgata e qyqeve”, shkroi biografinë letrare të “Qemal Stafës”, studime si “Estetika e fjalës shqipe” vepra letrare e Nolit e të tjerë.

Ndër skenaristët e parë të filmit artistik shqiptar, Jorgaqi ishte autor i një sërë skenërve si “Mimoza llastica”, “Duel i heshtur”, “Tomka dhe shokë e tij” si dhe dokumentarëve për Nolin e Qemal Stafën. Si përkthyes solli në shqip autorë të njohur si Çehov, Gollsuorth e të tjerë.

Ishte dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” si “Mjeshtër i Madh i Punës”, por edhe jashtë kufijve. Instituti Amerikan i Biografive e ka nderuar me Medaljen të Artë Nderi, ndërsa Qendra Ndërkombëtare e Kembrixhit e ka përfshirë në librin Njerëz të shquar të shekullit të XX-të.

Kohët e fundit i tërhequr nga jeta publike, pas polemikave të njëpasnjëshme rreth veprimtarisë së tij të para 90-ës, Jorgaqi u nda nga jeta duke lënë pas një krijimtari të pasur.

Homazhet në nder të shkrimtarit do të mbahen të premten pranë Akademisë së Shkencave nga ora 12.00 në orën 14.00, ndërsa më pas do të përcillet për në banesën e fundit në Sharrë.