Frrok Çupi/
Jashtë është natë, me një grusht drita në qendër të Tiranës. Pjesë të tjera të qytetit mbeten pa drita gjysmë ore, pastaj vijnë dritat dhe ikin prapë. Lagjja jonë e kishte mbrëmë radhën e padritave. Nuk ka ndonjë të papritur. E vetmja gjë që më krijon stres është pyetja që më rrotullohet: “Po sikur të më ikin dritat në ora 6.30? Në 6.30 kryeministri i Francës do të shpallë kandidaturën për president?!” Komedi! E majta është bërë komike kudo…
Më duhet të ndjek ngjarjet, për shkak të profesionit. Por shumë njerëz po i ndjekin ngjarjet e Europës, njësoj si të ishin këtu në Tiranë…
Jo!, nuk mund të bëhet gjithmonë ky krahasim. Ngjarjet ndërkombëtare, zakonisht, nuk i bëjnë kujt përshtypje në Tiranë. E njëjta sjellje si në kohën e diktaturës. Atëherë lajmet e botës zinin veç pak vend, vetëm faqen e fundit të gazetës. Edhe ato, copë- copë. Si nuk u davarit ky dreq zakon i poshtër diktature?!
Sonte mund të thyhet edhe ai zakon. Ka ndodhur edhe më parë; për shembull në vjeshtën e vitit 1989 kur në Europën Juglindore po shembej regjimi komunist. Në Tiranë- me ato mjete informimi të kohës, copë- copë, dëgjoheshin lajme vetëm nga jashtë. Nga brenda ishte bosh. Nga jashtë kërkohej të përmbysej e keqja përbrenda. Dikush kishte një radio me bateri, dikush tjetër merrte e jepte me “kanaçen” e televizorit… Sonte i kemi të gjitha mjetet. Mund të na ikin dritat, vetëm kaq; por kjo nuk është e keqe e vogël.
Sonte priten ngjarje në Europë; ose më mirë priten të bien gurët e dominosë.
Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, një “selfish” me selfie pa fund, ka ardhur në pikën që duhet të japë dorëheqjen para Presidentit të Republikës. Pritet pas pak, minutë pas minute; boll që të mos na ikin dritat!… Një kryeministër majtist që e pruri Italinë përballë murit. Para dy muajsh shpalli referendumin kushtetues për të “ulur përtokë Senatin”, dhe humbi vetë mbrëmë. Mbi 70 për qind e italianëve dolën në votime, gjë që nuk ka ndodhur kaq shumë prej 3o vjetësh. Dolën jo për të kundërshtuar referendumin, se “çfarë është ky?”, askush nuk e çmonte. Kishin dalë në votime për t’i thënë Renzit “ik tani!”… Pritet kryeministri i ri. Por edhe i riu nuk bën punë. Në Itali si edhe në Europë pritet ndryshimi i madh: Largimi i establishmentit që ka krijuar “moçalin”.
… Në ora 6.30 kryeministri i Francës ka njoftuar shpalljen e kandidaturës për President. Socialisti Manuel Valls krijoji rekordin e Europës për atë që nuk ndodh kurrë në politikë: Vuri kandidaturën përballë presidentit të Republikës, kandidat i partisë së vet. Çorientim total i të Majtës në Europë. Valls e di se nuk fiton si president i Francës, por puna ka ardhur “ku mund të strehohesh!”. Presidenti i Majtë i Francës, Holande, po shkon me rekordet më të ulëta të historisë së Francës.
Pas humbjes në Itali e në Francë pritet që të dy shtetet të shkojnë në “Brexit”. Referendumi për të ikur nga BE është i mirëpritur në disa shtete anëtare. Pritet në Hollandë pas këtyre zgjedhjeve që janë në prag- prillin që vjen bashkë me Gjermaninë, pritet në Austri, pritet në Rumani dhe Bullgari, Çeki dhe Skandinavi…
Ka një valë të gjerë dëshire për ndryshim. Qeveritë e Europës u bënë modeli i keq i qeverive që vinin nga regjimi komunist- më e keqja e botës. U zhytën në distancë të largët me popullin, u zhytën në korrupsion, në tregti influencash, në stilin “liberal” të pranimit të të keqes për kombet e tyre. Pas tyre, qeverive të Lindjes, siç shikoni qeverisë së Tiranës, iu mori “lopata ujë”. U bënë ortakë në trafik droge, u angazhuan në vjedhje të mëdha, u bënë të paprekshme…
… Kështu ishte edhe nata e Timisoarës. Ja, kështu pritej, me kaq padurim, që të vinte ndryshimi. Timishoara është një qytet i Rumanisë, ku shpërtheu revolucioni i përmbysjes së komunizmit. Për 11 ditë u shënua ajo që bota nuk e kishte ëndërruar; nga 16 deri më 27 shtator 1989 u shemb regjimi. Këtu në Tiranë, krerët komunistë thonin se “nuk ka lidhje me ne”; por nuk zgjati shumë. Ato net nuk kishim drita; qyteti Studenti u ngrit më këmbë fillimisht për dritat…
Po ndryshon Bota, po bien establishmentet. Kjo është rënia e komunizmit të dytë. Era e Brexit dhe e ardhjes së Donald Trump si president i Amerikës, kanë lajmëruar për erë të re.
/VERITAS.COM.AL/