Nga pagat e personelit te siguria e godinës, shpërblimet e honorarët apo dietat dhe udhëtimet, gjashtë universitetet publike më të mëdha në vend shpenzuan plot 33,2 milionë euro në vitin akademik 2021-2022.
Sipas Qëndresës Qytetare, pjesa më e madhe e këtij fondit rezulton të ketë shkuar për pagat e personelit akademik, por nuk kanë munguar edhe pagesa të majme për dieta e udhëtime apo siguri godinash.
Universiteti i Tiranës, ai Politeknik, “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, “Aleksandër Moisiu” në Durrës, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe “Fan Noli” në Korçë nxorën nga buxhetet e tyre mbi 3,2 milionë euro për të siguruar pasuritë e muret e tyre rrethuese dhe vetëm pak më shumë se 16 mijë euro për kërkimin shkencor, një prej çështjeve për të cilat një pjesë e pedagogëve nisën protesta e zhvilluan bojkot.
Në emër të çdo studenti të regjistruar në këto gjashtë universitete, vjet u shpenzuan mesatarisht 449 euro, nivel ky ndjeshëm më i ulët se në vendet e Rajonit e Europës drejt së cilës Shqipëria synon të shkojë.
E teksa për vitin e shkuar akademik universitet nuk janë kursyer për të siguruar pasuritë, marrë shpërblime e zhvilluar udhëtime, rritja me 8 për qind e pagave pas protestave të pedagogëve pritet t’i bëjë më të kujdesshme shpenzimet e institucioneve të arsimit të lartë.