Avni Rustemi vdiq më 22 Mars pas një atentati që iu bë në Tiranë më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri.

Avni Rustemi lindi në Libohovë, në një familje atdhetare. I ati ishte qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës.

Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës.

Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit.

Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën.

Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913, dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918.

Më 1918 me nismën e tij, u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.

Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris, Esat Pashë Toptanin.

Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intensifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi. Ai u zgjodh deputet i Parlamentit shqiptar si përfaqësues i popullit të Lumës, Kukës.

/Veritas.com.al/