Frrok Çupi

Për të dy partitë e reja pas vitit 1990, u tha se ‘u krijuan’.

Por në fakt, tani është më e qartë, se as PD as PS nuk u krijuan, por u ndanë nga e njëjta gjë. Të dyja, në rrënjë janë ‘ish komuniste’.

Këtë mendim ma zgjoi prapë festa e PS kushtuar 32 vjetorit të jetës së saj. Sot Partia Socialiste kryeson qeverisjen e vendit prej dhjetë vitesh. Madje ndihet shumë e gëzuar që ka ngarkuar këtë barrë të madhe, për të cilën do të thoja ‘mos ia dhëntë zoti kujt’.

Po tjetra, domethënë PD, që u nda thuajse njëherësh nga e njëjta rrënjë?

Tjetra mban një barrë tjetër, ende më të rëndë, nëse do të sillja prapë formulimin mallkues ‘mos ia dhëntë zoti kujt’. Në këtë rast është vërtet një fat vajtimoresh. Për PD mund të thuash ‘mos i ardhtë ditëlindja’ se nuk ka kush e këndon. Edhe po të dalë dikush t’i këndojë, ky do të shtyhet nga të tjerët. Edhe nëse nuk do të shtyhet, nuk i ka lezet… Se çfarë të këndojë? Tani PD nuk ka as ditëlindje. Të shfaqet si në mjerimin e familjes që ka humbur të shtrenjtin e vet e që vajton se ‘nuk ka varr ku e qan’.

Të dy partitë, rrugën e bënë bashkë, por njëra është kjo që është ndërsa tjetra ishte. Pyetja bëhet pse ndodhi kështu?

Sa herë është bërë kjo pyetje dhe përgjigja është kërkuar me ‘fjalë të mëdha’ të marra nga gjeopolitika, nga konservatorizmi dhe liberalizmi, nga revolucioni dhe anti-komunizmi… Në fakt të gjitha ‘fjalët e mëdha’ kanë shërbyer për të fshehur një të vërtetë të vogël:

Ndërsa PS gjeti rrugën të thotë ‘ja kush jam’, PD mori malin për t’u fshehur. Partinë Socialiste e mallkuan se ‘vjen nga Partia e Punës’, por ajo nuk tha kurrë ‘jo’. Ndërsa Partia Demokratike mori levat e ‘antikomunistit’ për të rrënuar cilindo që e njihte si të ‘ardhur nga Partia e Punës’. Sot PS udhëhiqet nga një ish-profesor i ri me terma të qarta kundër komunizmit, PD po rrezikohet pa fund nga pushtimi prej një ish- komunisti të dhunshëm.

Çfarë dihet, dihet; kemi 30 vjet me të njëjtën gjë. Por elementi ‘i vogël’ dallues mes të dyjave që u ndanë nga e njëjta rrënjë, është ky:

Njëra parti (PS) e pranoi veten e saj, partia tjetër (PD) nuk e pranoi kurrë.

Atëherë partia, secila, mori fytyrën e njeriut ose edhe kapacitetin e strehës. Fytyrën e njeriut, sepse në shoqërinë njerëzore njeriu i largohet kujtdo që nuk dëshmon të vërtetën për veten. Dhe si aftësi e strehës, sepse në atë shtëpi ku ‘nuk kallëzohen’ zjarrvënësit- aty mblidhen të gjithë zjarrvënësit. Kjo fatkeqësi i ndodhi prej vetvetes, Partisë Demokratike.

Në pozitat e të dy partive u ndodh Moisiu, sipas Biblës. Mosiu po të mos i bindej Perëndisë, do të mbetej si PD, duke iu fshehur vetes. Dilemat e Moisiut tanimë ndodhen të ndara mes PS dhe PD.

Moisiu, pasi foli gjatë rreth misionit të vet, e pyeti Perëndinë: “Kur të shkoj te bijtë izraelitë e t’u them se “Perëndia më ka dërguar te ju’ e të më pyesin cili është emri?, ç’përgjigje të jap?”.

Perëndia i tha Moisiut: “Do t’u thuash ‘unë jam ky që jam!’.

PD për fat të keq nuk e gjeti perëndinë e të vërtetës. Për këtë arsye PD është djallëzuar, është rrënuar, është helmuar prej vetes, është bërë kundër Perëndisë dhe kundër Atdheut. PD, kurrë nuk e pranoi të vërtetën. Të gjithë në PD morën vesin e bosit për të mos treguar kurrë ‘kush jam’. Gënjejnë njësoj, mashtrojnë pa skrupuj, shpifin pa kufi, turpërohen pa turp, qëllojnë dhe asgjësojnë frikshëm, fshihen aty ku duhet të shfaqen, deklarojnë atdhetarizëm kur bëjnë rrengje kundër atdheut, fshihen pas anti-komunizmit edhe tani kur çdo njeri dinamik ka lindur pas komunizmit.

U ka mbetur qysh prej Moisiut dhe nuk dalin më nga maska. Mashtrojnë kot së koti. Tani sapo e lanë pas fushatën zgjedhore, ku humbën siç humb secili që vë maskë. Nisën korin se ‘na i vodhën votat’. A kanë ndonjë cifël të vërtete? Fare. Si gjithë jetën. Po dëgjoja një debat në tv. Ja ta përsëris:

Gazetari, Denis Dyrnjaja, i drejtohet nënkryetarit të PD:

-Po pse na gënjyet publikisht se zgjedhjet janë të garantuara?, s’ka shans të vidhen. Po na trajtoni si idiotë.

… Në këtë pikë është ndarë bota që në fillim të vitit 1991: Kush mund të mashtrojë idiotë vazhdon rrugën e gjen ca rrugës, por jo popullin e qeverisur. Tjetri që ia ka thënë të vërtetën Perëndisë, ai ka barrën e rëndë të besimit.