
Policia detare dhe ajo kufitare kanë vijuar monitorimet me qëllim ruajtjen e sigurisë detare. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat policia bën të ditur se si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera nga Komani në Ksamil, gjatë javës janë bllokuar 35 mjete lundruese për shkelje të ndryshme, nga 525 të kontrolluara.
“Konkretisht 22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar. 14 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, janë shpëtuar në det 19 shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe 6 mjete lundruese falë ndërhyrjes së Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare nga Ksamili në Koman.
Po kështu “nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, është lokalizuar dhe bllokuar jashtë zonës së perimetrit të sigurisë në plazhin e Pemës së Thatë Ksamil-Sarandë, një gomone e vjedhur në zonën e quajtur Lefkadha, Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
Komente