Nga: Agim Xhafka/

Sa herë shkoj në Korçë kaloj tek shtëpia ku u rrita.

Dhe në kohë me diell, ulur tek gurët e bashtës, shoh Sofijen, shoqen time të fëminisë. E vetme,sheh në një pikë e nuk e lëviz kokën hiç. Edhe sot është e bukur. Kur ishte e re ajo quhej perri. Por pati histori të dhimbshme. Vajza e vetme e mësuesit tim u rrit në pëllëmbë të dorës. Babai e quante dritë se ashtu e kish, sidomos pas vdekjes së gruas,nënës së saj. Ndërsa familja veçohej për trashëgiminë patriotike. Gjyshi i Sofisë, themelues i Vatra në Amerikë e kontribues i çeljes se sa e sa shkollave shqipe. Emrin e gjyshit ajo na e tregonte në krejt librat. Nuk e kishte takuar asnjëherë,por i kishte liruar vendin më të zgjedhur tek zemra e saj. U rrit me dashuri të madhe. Në familje e shoqëri. Sofia e qeshur, i thonim. I bëhej një gropë në faqe dhe dukej si zanë përrallash.

E kështu rrodhën ca vite. Mbaroi universitetin e u njoh me Zakun, kimistin e uzinës. U deshën aq fort sa gëzimi përfshiu mëhallën. Deri ditën e mbrame që babain ia fusin në burg se donte të sulmonte selinë e partisë. Na u dhimb mësuesi që nuk vriste dot një mizë. Por tragjedia u përhap. Nuk mjaftoi gjëma e arrestimit,por duhej dhe divorci i Zakut. Nuk mundej ai të jetonte me bijën e armikut!!! Dhe zoti nuk vonoi. U arrestua babai i Zakut pas ca vitesh, po për politike . E braktisi gruaja e dyte. Ia mori dhe dy djemte. Zaku përfundoi në minierë e tani pret të lexojë emrin në gazetë për këstin si i përndjekur.

Kështu Sofija ngeli fillikat. Pa babë, pa burrë, pa punë. Se e hoqën dhe e çuan në fermë,dy orë larg nga qyteti. Në shtëpi i vendosën dy familje të tjera se ishte gjerë,nuk i duheshin më dy dhoma. I mjaftonte ashefi tek oborri. E bukura Sofi po venitej. Hyri brenda vetes e askush nuk mësoi në se jetonte a ishte gjallë. Ajo çapitej në mëngjes kur ikte në fushë e hiqej zvarrë kur kthehej.

Më pas për vite e vite na humbi nga sytë. Menduam se nuk jetonte më. Por parvjet e ndesha në rrugë. E mpakur dhe e zbardhur krejt. Por syri si syri,nuk moshohet kurrë. I qeshur dhe plot dritë. Më tha se ishte martuar në Lezhë me një burrë të ve,por që nuk kishte fëmijë e punonte ekonomist. Jetoi vite me të deri sa ai ndërroi jetë. Pastaj u kthye tek shtëpia e rrënuar e babait. Rri atje e vetme,me kujtimet e me fotot. Tërhiqet nëpër vite me një gjysmë pensioni. E shoh sa herë vij tek lagja e fëminisë. Gjithçka iu rrokullis në jetën e saj. Tani ka marrë nga gjykata pafajësinë e babait dhe në librat e shkollës lexon lavde për gjyshin patriot. Por…ajo rri pa lëvizur,me sytë në një pikë. E ngroh dielli,i vetmi që nuk e mashtroi.

Veritas.com.al/