
SHQIPËRI- Sondazhi i parë i Abc News në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze italiane të sondimit, Angi Ricerche, nxjerrin Partinë Socialiste si fituese të zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas sondazhit të publikuar për herë të parë në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës, 3 javë para zgjedhjeve, Partia Socialiste merr 46.9% deri në 50.9% të votave kombëtare, kur në 2021, mori 48.7% të votave për të prodhuar 74 mandate.
Aleanca për Shqipërinë Madhështore drejtuar nga Partia Demokratike, si në skenarin më të mirë dhe më të keq, nuk arrin dot as rezultatin e vitit 2021.
Nëse 4 vite më parë, PD arriti të marrë 39.4% të votave, në 11 maj, sipas sondazhit, aleanca e Berishës mund të arrijë maksimalisht 37.1%, dhe minimalisht bie në 33.1%.
Nëse në vitin 2021, Partia Demokratike e arriti këtë numër votash pa koalicion me ish-Lëvizjen Socialiste për Integrim, 4 vite më pas, bashkë me të nuk e arrin dot të njëjtën shifër, pasi 6% i votave te Partisë së Lirisë sot rezulton të jetë zhdukur dhe nuk janë në llogari të PD. Bashkë dy aleatet, kanë rënë 6 pikë në krahasim me vitin 2021.
Partitë e reja së bashku, marrin 11.1% të votave kurse në një skenar pozitiv 18.7%. Udhëheq partia e Lapajt me 5.4-7.4% të votave, ndjek Mundësia e Shehajt me 3.8%-5.8%, PSD e Tom Doshit që mbetet në nivelet e njëjta me 2021, 1.4-2.4% kur mori 3 mandate. Kurse euroatlantikët e Lulzim Bashës rrezikojnë seriozisht pragun kombëtar, nga 0.4%-1%.
Por cilin preferojnë shqiptarët si kryeministër? Në preferencën mes dy liderëve kryesorë, të anketuarit zgjedhin me 65% Edi Ramën si kryeministër të ardhshëm, kurse Sali Berishën vetëm 35%.
Edi Rama rezulton lideri më i vlerësuar pozitivisht nga gjithë të therët, me 51.2, por 45.2% të tjerë negative. Sali Berisha është lideri i katërt më i pëlqyer, me 33.8% mendim pozitiv dhe 63.9% negativ. Më të pëlqyer se Berisha, janë dy liderët e rinj të djathtë, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj. Më i urryeri është Ilir Metaj, me 83.2% mendim negative.
Sipas sondazhit, të Angi Ricerche, shumica e shqiptarëve te pyetur, në masën 52% mendojnë pozitivisht për jetën në Shqipëri.
Ata ndahen në 6.3% shumë mirë, dhe 45.7% mirë. Ndryshimi është se përqindja e njerëzve të cilët mendojnë pozitivisht për jetën në Shqipëri, ka një rritje prej thuajse 7% në krahasim me 2021.
Humori i shqiptarëve luhatet kryesisht nga kriza ekonomike dhe inflacioni. 18.9% e të anketuarve mendojnë se këto dy janë problemet kryesore në Shqipëri, pasuar nga papunësia me 15.1%, pensionet e ulëta 13.2%, emigrimi 11.3% dhe korrupsioni 10.1%.
Por, shqiptarët ndahen thuajse përgjysmë, kur pyetja shtrohet se ku po shkon Shqipëria. 49.7% e të anketuarve mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur, por 40.8% të tjerë mendojnë se vendi është në drejtimin e gabuar. 9.5% thonë se busulla nuk është as në drejtimin e duhur, as të gabuar.
Kurse, tek e ardhmja ekonomike e vendit, 40.4% e të anketuarve thonë se situate do të përmirësohet, 38.7% se do të përkeqësohet, dhe 20.9% do të mbetet e njëjtë.
Edhe në emocionet që shfaqin, shqiptarët e pyetur ndahen. Krenaria dhe patriotizmi shfaqet tek 37.8% e tyre, shtuar këtu 12.1% e shpresës dhe gëzimit, 49.9% e shqiptarëve kanë emocione positive, ndërsa 50.1, kanë zemërim ose frikë, këta ndahen në 29.9% dhe 20.2%
Ky sondazh i parë i Abc News në bashkëpunim me Angi Ricerche, përfshiu mbi 6 mijë qytetarë shqiptarë të anketuar në të gjithë Shqipërinë, nga të cilët 2 mijë u përgjigjën plotësisht.
I ftuar në një lidhje live në emisionin Real Story, ishte dhe bashkëautori i sondazhit, profesori Italian, Fabio Bikaro, i cili sqaroi se marzhi i gabimit të këtij sondazhi është nga 2 deri në 5%.
Ai doli në konkluzionin se shqiptarët po mendojnë si votues europianë. Ky ishte sondazhi i parë në Abc News, në pritje të dy të tjerëve, nga e hëna vetëm në Real Story.
Komente