Sot është ekuinoksi pranveror, ku dita barazohet me natën. Fenomeni astronomik për këtë vit nis në orën 10.28 minuta. Ndërsa në vjeshtë do të ndodhë më 22 shtator në orën 20:02 minuta.
Ndërsa në hemisferën e veriut ndodh ekuinoksi pranveror, në hemisferën e jugut nis vjeshta. Dita e parë e pranverës do të zgjasë 12 orë e pesë minuta. Dielli do të lindë në orën 5 e 39 minuta, ndërsa do të perëndojë në 17 e 44 minuta.
Pranvera do të zgjasë deri më 21 qershor, kur me kalendar fillon vera. Por, llogaritja verore e kohës do të fillojë natën mes datës 25 dhe 26 marsit, kur akrepat e orës do të zhvendosen një orë para.
Shqiptarët, fillimin e pranverës e kanë të lidhur me tokën dhe punët e bujqësisë. Për vende si Turqia dhe India ajo konsiderohet një feste familjare, ndërsa për popullin iranian ekuinoksi i pranverës shënon ditën e parë të vitit. Ekuinoksi në astronomi është ai çast kohor (jo një ditë e plotë) kur qendra e Diellit mund të vëzhgohet drejtpërdrejt sipër ekuatorit tokësor. Thuhet edhe kur dielli bie në pus, domethënë pasqyrimi i diellit në një pus, fenomen që nuk ndodh dhe nuk mund të verifikohet në asnjë paralel tjetër tokësor. Në këto dy data, dita dhe nata janë të barabarta, secila nga 12 orë. Gjatë baras-netëve, dielli lind saktësisht në lindje dhe perëndon me saktësi në perëndim. Ekuinokset ose baras-netët mund të mendohen edhe si pika në qiell. Edhe pse drita e ditës bën që yjet të mos shihen, duke e bërë të vështirë vendndodhjen e Diellit në lidhje me trupat e tjerë qiellorë, Dielli ka një vendosje të përcaktuar lidhur me yjet e tjerë. Ndërsa Toka rrotullohet rreth Diellit, vendndodhja e dukshme e diellit zhvendoset në një rreth të brendshëm gjatë një viti. Ky rreth quhet ekliptikë, dhe është edhe rrafshi i orbitës tokësore drejtuar mbi sferën qiellore.
/Veritas.com.al/