Apeli i GJKKO ka rikthyer sot masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për kreun e PD Sali Berisha, në lidhje me dosjen “Partizani”.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për rikthimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha në arrest shtëpie, u shqyrtua këtë të premte në Apelin e GJKKO-së.

Seanca, që drejtohet nga gjyqtari i posaçëm, Engert Pëllumbi, nisi pak pas orës 10:00 në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha. Në seancë, ndodhej avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj.

Gjykata e apelit të posaçëm vendosi detyrim paraqitje dy herë në muaj për Berishën.

Tre javë më parë, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak dhe kërkoi rikthimin e masës.

Berisha u lirua në 27 nëntor 2023 pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpiak, pasi akuzohej si i përfshirë në dosjen “Partizani”.

Sali Berisha u mor i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin Partizani, që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme.

Për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” akuzohet edhe biznesmeni Fatmir Bektashi për korrupsion aktiv, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” për pastrim parash, ndërsa Andia Pustina, financierja që kreu operacionet financiare e ligjore të “Homeplan”, akuzohet për pastrim parash.
Mbetet për t’u parë nëse këtë radhë Berisha do të zbatojë vendimin e gjykatës, pasi ishte pikërisht mos paraqitja sipas vendimit të GJKKO ajo që e çoi kreun e PD drejt masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, ku ndenji për rreth një vit.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *