Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Steinmeier, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë konferencës së shtypit me homologu Ditmir Bushati tha qartë se nëse kjo reformë në nuk miratohet, atëherë do të bllokohet hapja e negociatave dhe anëtarësimi i Shqipërisë për në Bashkimin Europian për një kohë të gjatë.
“Ne kemi interes që ky vend të bëjë përpara. Reforma në sistemin e drejtësisë është në vëmendje të opinionit publik. Ajo çka gjendet në tryezë është një projekt që do të kujdeset për më tepër pavarësi në sistemin e drejtësi, do krijojë premisa të besueshme në luftën kundër korrupsionit. Shpresoj që ky projekt të miratohet. Shpresoj shumë që reforma në drejtësi të mbyllet sa më shpejt dhe mbështetja për të mos jetë vetëm në publik, por edhe në tërë spektrin e parlamentarëve.
Nëse reforma në drejtësi nuk është përmbushur, atëherë procesi i anëtarësimit nuk mund të përshpejtojë. Nëse nuk do të jetë kështu, do të kaloni njëfarë periudhe deri sa të kalohet në hapjen e negociatave. Pra do të jetë shumë vendimtare ajo që do të ndodhë muajt e ardhshëm”, tha ministri i Jashtëm gjerman.
Steinmeier dha edhe një këshillë për opozitën në lidhje me negociatat për këtë reformë historike. Jo çdo gjë zgjidhet duke bllokuar, tha kreu i diplomacisë gjermane, dhe theksoi se ndonjëherë është e nevojshme që opozita të lëshojë “pe” në kërkesat e saj.
“Në opozitë nuk fitohet vetëm duke bllokuar. Ka situata që një qeveria merr reforma për avancimin e vendit, ndërsa për një opozitë nuk duhet menduar për avantazhet afatshkurta. Unë i kam përjetuar të dyja këto situata”, u shpreh Steinmeier.