Reshjet e shiut do të vijojnë të jenë të pranishme gjatë gjithë ditës, ndërsa pasdite situata parashikohet të jetë edhe më problematike.
Reshje me intensitete mesatare dhe të larta ka pasur në të gjithë territorin shqiptar gjatë ditës së djeshme, kryesisht në zonat veriperëndimore dhe në veri, më pak në qendër. Vonë pasdite dhe në mbrëmje ka pasur një intensifikim të reshjeve edhe në skajin jugor. Zonat më të prekura kanë qenë Gjirokastra, pjesërisht Saranda, Tepelena më pak, por kryesisht Gjirokastra, Përmeti dhe një pjesë e Kolonjës.
Edhe sot situata paraqitet problematike, thotë meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja. Gjatë pjesës së parë të ditës do të kemi reshje herë pas here mesatare, por edhe më të pakta. Situata do të intensifikohet gjatë pjesës së dytë të ditës.
Në Tiranë situata paraqitet më e qetë, pa probleme pavarësisht reshjeve me intensitet të lartë. Nuk parashikohet të ketë dalje nga shtrati të lumit Lana, përveç se në dy-tre segmente ku gjithmonë situata është më problematike.
Në 24 orët e ardhshme parashikohet të ketë temperatura mjaft të larta, me një rritje të lehtë në mëngjes dhe një rritje rreth 1–2 gradë edhe në orët e mesditës së sotme. Maksimumi pritet të jetë shumë pranë 18°C, një vlerë mjaft e lartë për këtë periudhë.
Reshjet do të jenë gjatë gjithë ditës, në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa për shkak të temperaturave të larta, vetëm në majat e maleve do të ketë dëborë. Temperaturat në mëngjesin e sotëm janë rreth 4–5°C në veri dhe verilindje, ndërsa në juglindje 5–7°C. Në shtrirjen perëndimore temperaturat luhaten nga 9–10°C në brendësi deri në rreth 14°C në vijën bregdetare.
Nga mesdita parashikohet të kemi intensifikim të reshjeve në të gjithë territorin shqiptar, thotë Porja. “Një qendër e vogël ciklonare, fatmirësisht me lëvizje shumë të shpejtë, do të kalojë mbi territorin shqiptar. Fillimisht intensifikimi nis në skajin verior, zbret në veriperëndim duke përfshirë Shkodrën, Lezhën dhe pjesë të Pukës, e më pas me shpejtësi zbret në zonat qendrore, lindore dhe juglindore. Kjo do të ndodhë nga mesdita deri afër mesnatës. Do të kemi një ndalesë të kësaj qendre ciklonare kryesisht në juglindje dhe pjesërisht në qendër, përfshirë Elbasanin dhe Beratin, si dhe më pas një pjesë të Gjirokastrës. Këto zona do të përjetojnë reshje me intensitete herë pas here të larta gjatë pasdites dhe mbrëmjes. Situata përkeqësohet nga mesdita e në vijim, por nuk del jashtë kontrollit. Reshjet do të jenë intensive, por afatshkurtra, për shkak të lëvizjes së shpejtë të sistemit”.
Në zonat perëndimore dhe kryesisht në jugperëndim reshjet do të jenë kryesisht rrebeshe të shkurtra. “Më problematike paraqitet situata në zonat juglindore. Në orët e vona të pasdites dhe në mbrëmje kemi reshje dëbore mbi 1200–1300 m mbi nivelin e detit. Vlerat maksimale, pavarësisht vranësirave dhe reshjeve, do të shënojnë rritje kryesisht në zonat jugore për shkak të qarkullimit jugor. Në zonat malore temperaturat variojnë nga 8 deri në 12°C, ndërsa më ngrohtë paraqitet zona malore juglindore. Veriperëndimi arrin rreth 15–16°C, zonat qendrore vlera të ngjashme, ndërsa vija bregdetare deri në 17–18°C. Dëbora zbret në 1200–1300 m në mbrëmje, ndërsa nesër pritet një rënie e theksuar e temperaturave, duke bërë që dëbora të zbresë edhe në 800–900 m në pjesën e parë të ditës. Në pjesën e dytë të ditës së nesërme dëborë thuajse në të gjithë zonën malore. Kjo na mbron nga përmbytjet, pasi reshjet në zonat malore bien në formë dëbore dhe jo shiu”, thotë Porja.
Komente