Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta është shfaqur tejet i nervozuar me Partinë Socialiste gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të nisur në orën 09:00.
Në mbledhje mungonin deputetët e PS, të cilët shkuan me vonesë. Në kete mbledhje duhet të miratohet me patjetër drafti për reformën në drejtësi të arritur me marrëveshje, në mënyrë që të kalojë për votim në Parlament.
Meta ka kërkuar nga Fatmir Xhafaj dhe Gramoz Ruçi që të jenë të pranishëm.
“Ka bërë dhe disa insinuata dhe duhet të vijë këtu Xhafa dhe gjithë ekspertët të cilët nuk patën kurajo t’i thonin publikisht kur i ftova. I bëj thirrje z.Xhafaj të vijë këtu sepse boll janë vonuar procedurat parlamentare”, tha Meta.
Pas disa minutash, të gjithë deputetët e PS mbërritën në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Fatmir Xhafaj sapo mbërriti pati përplasje me Ilir Metën.
Ky i fundit iu drejtua deputetit të PS duke i thënë “pusho se po flas unë”. Menjëherë ka ardhur kundërpërgjigjia e Xhafajt ndaj Metës duke i thënë: “Ule zërin me mua, kam tre vjet që të dëgjoj me qetësi dhe dashuri”.