Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka marrë vendim ditën e sotme për çështjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Samir Tahiri.

Apeli ka vendosur që çështja të kthehet për rigjykim nga e para, duke prishur kështu vendimin e dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit.

Prokuroria kërkoi dënimin me 12 vite burg për ish-ministrin, dënim të cilin e kishte kërkuar edhe në shkallën e parë.

Saimir Tahiri është akuzuar si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë dhe se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.

Ish-ministri u shpall fajtor dhe u dënua në shkallën e parë, vetëm për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj shërbim prove, duke u akuzuar se nuk kishte marrë masa për parandalimin e kanabizimit të vendit dhe nën akuzën e përfshirjes së efektivëve të policisë në këtë aktivitet kriminal.