(FOTO: Pamje nga filmi “Tango e fundit në Paris”)
45 vjet pas daljes së „Tango e fundit në Paris“, film kult i viteve 1970, regjisori Bernardo bertoluçi pranon se një nga skenat e paharrueshme të kësaj vepre, është në të vërtetë një quasi përdhunim.
Një film, sado të talentuar qofshin regjisori dhe aktori kryesor, a e meriton të shkatërrojë një jetë për të arritur majat e kinemasë? Nuk ishte një përdhunim “real“. Akti i penetrimit, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është i simuluar. Por ai u përjetua nga një prej dy protagonistëve, gruas çka nuk është rastësi, si një agresion seksual i vërtetë, shkatërrimtar, nga i cili ajo thotë se nuk e mori dot kurrë më veten.
“Tango e fundit në Paris“, film kult pas-1968, është një rast studimor që na lejon t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje që mund ta formulojnë kështu: a i justifikon krijimi të gjitha ekseset? Çështja Bernardo Bertolucci-Marlon Brandon-Maria Schneider dihej por u mbajt pak a shumë e varrosur. Në 2013, kineasti Bernardo Bertolucci, asokohe 73 vjeç, në një intervistë me rastin e një homazhi organizuar nga cinemateka franceze e Parisit, kujton kushtet e xhirimit të veprës së tij që hapi polemikën apo adhurimin në Francë e gjetiu: i shfaqur në kulm të revolucionit seksual të 1968, filmi merr dy nominime për Oscars dhe Golden Globes për regjisorin dhe për Marlon Brandon, por edhe një breshër ndalim-shfaqjeje dhe ndalim për moshat e vogla, nga ana tjetër.
Fama e „Tango e fundit në Paris“ dhe shndërrimi sakaq në një film Kult rrjedh nga gërshetimi i një sërë elementësh: një regji brilante, një aktor në majat e talentit të tij, një subjekt tejet aktual për kohën (midis depresionit, seksit dhe dilemave rreth maskilitetit) dhe skenave të forta të marrëdhënieve seksuale ndër të cilat… një përdhunim me anë të sodomisë, i kryer me ndihmën e një copë gjalpi, nga një dyztvjeçar mbi një vajzë të re njëzet vjeçare. Një skenë që do ta shkatërrojë, do të deklarojë aktorja Maria Schneider, shumë kohë përpara deklaratave të regjisorit për mënyrën se si që menduar dhe xhiruar skena.
„Për të bërë filma, nganjëherë, për të arritur diçka, mendoj se duhet të jesh krejtësisht i lirë“
Bernardo Bertolucci, regjisor
Në këtë video, kineasti shpjegon se ishte Marlon Brandon që dha idenë (Në 2013, aktori kishte dhjetë vjet që qe ndarë nga jeta, gabimin e kanë gjithmonë ata që mungojnë): „Sekuenca e gjalpit ishte një ide që na erdhi bashkë me Marlon Brandon mëngjesin kur do ta xhironim. E pranoj që qe e tmerrshme për Marien sepse nuk i tregova gjë. Sepse desha reagimin e vajzës së re, jo reagim aktoreje. Doja të kapja reagimin e vajzës së poshtëruar, për shembull kur ajo ulërinte: ‘jo, joo!‘. Dhe mendoj se ajo na ka urryer mua dhe Marlon Brandonin sepse nuk i treguam asgjë për këtë sekuencë, për këtë detaj, përdorimin e gjalpit si lubrifikant. Ndjehem shumë fajtor për këtë.“
Pyetjes: ‘a jeni bërë pishman për këtë?’, kineasti i përgjigjet: “Jo, por ndjehem fajtor. Për të bërë filma, nganjëherë, për të arritur diçka, mendoj se se duhet të jesh krejtësisht i lirë. Unë nuk doja që Maria ta luante‘ poshtërimin, tërbimin; doja që ajo ta ndjente poshtërimin dhe tërbimin. Dhe ajo me urreu gjithë jetën për këtë.“
Kjo mënyrë të konceptuari të lirisë krijuese, në kurriz të njerëzve të vërtetë, duket se nuk është kapërcyer. Aktorë, gra e burra, shprehën neveri për këtë qëndrim. Jessica Chastain, një aktiviste e kauzave të grave, shkruan në twitter: “Për të gjithë ata që e pëlqejnë këtë film, ju kujtoj se po shihni një vajzë 19 vjeçare që po e përdhunon një plak 48 vjeç. Regjisori ka planifikuar gjithçka. Kjo gjë m’i sjell zorrët te gryka.” Chris Evans, ose i ashtuquajturi “Capitain America”, deklaron se “Nuk do ta shoh më kurrë këtë film me të njëjtën mënyrë. Eshtë përtej neverisë. Ndjehem shumë i nervozuar”
Këta dy burra, aktori i adhuruar i “Kumbari”-t, dhe regjisori me Oscar, a ishin vallë të ndërgjegjshëm se shkatërruan një jetë? A mund të krijohet një skenë e tillë dhe a mund të trajtohet një actor në këtë mënyrë në emër të lirisë krijuese?
“Unë u ndjeva e përdhunuar. Po, lotët e mi ishin të vërtetë”
Maria Schneider, aktore
Maria Schneider vdiq para kohe në moshën 58 vjeç, në 2011, e sëmurë me kancer, pas një jete të çuar dëm nga përdorimi i drogave të forta, dhe një karriere të shkurtër e ndërprerë brutalisht pas „Tango e fundit në Paris“. Edhe Vdekja e saj, ose më mirë lajmi i vdekjes së saj nga mediat, qe shkak për polemika. E përditëshmja franceze Liberation zgjodhi një foto të saj me bustin të zhveshur, marrë nga filmi „Tango e fundit në Paris“. Për këtë film, në të njëjtën gazetë, ajo kishte përsëritur disa herë fjalët: “Unë u ndjeva e përdhunuar. Po, lotët e mi ishin të vërtetë”. “Isha e re, e pafajshme, unë nuk e kuptoja se çfarë po bëja. Sot do të refuzoja. Gjithë ajo zhurmë rreth meje më çorientoi“.
Ajo pohoi asokohe se kishte „humbur tetë vjet nga jeta (e saj)“ mes kokainës, heroinës dhe neverisë për veten.
/Veritas.com.al/