Nga: Laert Skiro/

Sa herë është thënë, deri në foltoren e Kuvendit, se Fatmir Xhafaj- deputet e sot ministër i Brendshëm, ka një ‘vëlla trafikant droge’, dhe ‘i dënuar me burgim’, ose ‘me ‘ndalim në Europë’. As e kam besuar, as e kam hequr nga mendja si të pabesueshme. Kam thënë se këtu kemi edhe retorikë politike, “vëllai” mund të ketë bërë ndonjë pisllëk, po jo kaq shumë… Pastaj kamë thënë se ‘ku vëllai, e ku Fatmiri!?’…

Mirëpo tani bindem plotësisht se ‘Fatmir Xhafaj ka një vëlla’ siç e kanë përshkruar, të përzierë në krime të mëdha kundër njeriut.

Me tmerr e kam pranuar edhe këtë realitet. Çfarë ndodhi që kaq vonë, më në fund, e pranova se ‘ministri ka një vëlla’, ndoshta më keq se sa e përshkruajnë?

Ndodhi sot, dhe ndodhi kështu:

Ambasadori i SHBA, Donald Lu prezantoi agjentët e FBI që vijnë në vendin tonë për një mision të rëndësishëm kundër krimit të organizuar. Dy vitet e undit Shqipëria është piketuar nga SHBA, aleatët perëndimorë dhe fqinjët- si vendi me rrezikshmëri të lartë nga krimi i organizuar. Sipas statistikave, tani vendi ynë jo vetëm kultivon drogë pasivisht, por edhe është furnizuesi kryesor i vendeve të Europës Perëndimore. Krimi është i lidhur ngushtë me politikën. Një ministër i qeverisë aktuale ndodhet nën hetim si pjesëtar i bandave kriminale të trafikut të drogës dhe armëve në Europë e në vend….

Ka mijëra dëshmi pse Shtetet e Bashkuara dhe BE janë tronditur thellë nga krimi shqiptar i organizuar. Në këtë tension kaq të madh, Amerika ka dërguar agjentë të FBI për të bërë që shqiptarët të çlirohen nga krimi, sepse këtë “e meritojnë shqiptarët’ tha ambasadori i SHBA. Ai deklaroi sot se së shpejti do të ketë arrestime të ‘peshqve të mëdhenj’. Qytetarët shqiptarë po e presin këtë me padurim.

Në këtë situatë kaq të rënduar kriminale, ministri i Brendshëm Xhafaj u ngrit e foli. Ai tha se: “nuk jemi të vetmit në këtë botë të trazuar që vuajmë këtë të keqe kaq të madhe”. Mesazhi i qeverisë shqiptare ndaj aleatëve është i qartë: “Nuk pajtohemi me ju, shikoni veten tuaj!”. Ministri mund t’i thoshte ambasadorit: “Shikoni  vrasjen e fundit në kishën e Texas”.

Kushdo që njeh ministrin dhe njëkohësisht mënyrën si kompostohet kryeministri Rama, në frazën e zotit Xhafaj lexon stilin e kryeministrit. Ai, sa herë zihet ngushtë para aleatëve, thotë “Shikoni veten!”. A nuk i tha BE-së disa herë se ‘po nuk na morët në gji, ne ikëm në Rusi!?”. A nuk i tha BE-së se ‘po gabon me Shqipërinë…”.

Fakti që ministri i bendet deri në këtë pikë nevralgjike, saqë ditën më të nxehtë kundër krimit, ky të deklarojë se “nuk jemi ne”, do të thotë shumë. Kjo do të thotë se ministri Xhafaj “ka një vëlla”. Në qoftë se nuk do të ishte i kapur te ‘vëllai’ ministri nuk mund të bindej kaq verbazi…

Madje ai qenka zgjedhur si ministër për shkak të vëllait.

Është bërë një zakon i tmerrshëm që në poste kyçe zgjedhjen njerëz me probleme të mëdha: O vetë kanë bërë krime, o vëllai ka bërë krim, ose një litar që lidh ministrin me të keqen e madhe…

Edhe ministri i kaluar, që tani është nën hetim si bashkëpunëtor në banda, ishte zgjedhur pikërisht për shkak të defekteve: Djali i një trafikanti të vogël me ilaçe, përdorues narkotikësh, depresiv deri në tentativa për vetëvrasje, njeri ‘besnik’ që sakrifikon i pari për interesat e kryeministrit…

Ai që ishte e shikojmë se çfarë bëri për shkak të ‘defektit personal’. Tani bindem se edhe ministri Xhafaj e ka një vëlla…

Veritas.com.al/