Nga Koço Kokëdhima/

Ish deputeti i Kuvendit dhe tani kryetar i Lëvizjes ‘Zgjidhja’, një nga miqtë më të ngushtë të kryeministrit Rama,  Koço Kokëdhima shkruan në mediat sociale se për t’u bërë deputet në Shqipëri, duhet të paguash 300 mijë euro.

“Për të vënë kandidaturën për deputet në partitë e vjetra duhet të paguash kryetarët, sekserët dhe ortakët e tyre që mund të jenë sekretarë të përgjithshëm, nënkryetarë, kryetarë grupi, ministra apo ish-ministra etj, me shuma nga 200 deri në 300 mijë euro.

Dëshiron të vësh kandidaturën për kryetar bashkie?, pyet Kokëdhima në një dialog me lexuesin dhe prapë përgjigjet vete:

-Duhet të paguash si më sipër kryetarët e partive të vjetra nga 200 mijë deri në 500 mijë euro.

“ Bashkia e Tiranës ka situatë tjetër. Fondet që mblidhen ilegalisht dhe nëpër xhepa nga kryetarët e partive të vjetra dhe kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë shkojnë në mbi 30 milionë euro. Fiton apo i humbet zgjedhjet partia, kryetarët fitojnë gjithmonë miliarda lekë”, shkruan Kokëdhima.

“Është e qartë se Shqipëria ka dështuar që të vendosë demokracinë dhe partnerët e saj perëndimorë nuk po kanë një interes të dukshëm që vendi ynë të çlirohet nga koniuktura e kryetarëve të partive të vjetra.

Ka 25 vjet që Shqipëria bën zgjedhje që janë ku e ku më pa integritet dhe më të pabesueshme edhe se pseudo-zgjedhjet që bënte regjimi i kaluar monist. Partnerët tanë ndërkombëtarë financojnë dhe mbajnë në këmbë regjimin tiranik të Tiranës dhe certifikojnë si progresive vazhdimisht zgjedhjet tona të palira, pa standarde dhe jo demokratike.

Po të bëheshin këto zgjedhje në një vend perëndimor, ai vend do të zhytej në flakë, në zjarr dhe në kaos“, shkruan ai.

Veritas.com.al/